UBT News

Adnan Rrustemi pritet të jetë kandidat i LVV-së për kryetar të Lipjanit

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi pritet të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Lipjanit. Ai ka pranuar se ka dorëzuar kandidaturën në struktura të partisë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Rrustemi thotë se s’ka kundër kandidatë të brendshëm në këtë proces, derisa thekson se ndryshimi që ka ndodhur më 14 shkurt duhet të zbërthehet edhe në nivelin lokal.

“Sa i përket kandidaturës, është e mundur, por ende jemi në fazat e procesit të zgjedhjeve të brendshme, nuk është përmbyllur. Shpresoj që shumë shpejtë të përmbyllet ky proces i brendshëm i zgjedhjeve të kandidaturave[…] Sa i përket Lipjanit me sa di s’ka kandidatë tjetër”, thotë ai.

Megjithëse s’e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se është duke punuar për shtrirjen e Lëvizjes në çdo lagje dhe fshat të Lipjanit, për ta mundësuar, siç pretendon ndryshimin në zgjedhje lokale.

“ Unë jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pranojë çdo detyrë dhe përgjegjësi që më kërkohet dhe ofrohet nga aktivistët dhe organizata. Aktualisht jam koordinator i qendrës në Lipjan dhe po punojmë për riorganizimin tonë atje duke u shtrirë në çdo fshat dhe lagje. Gjithnjë duke u përgatitur për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”.

Rrustemi gjithashtu shtoi se nëse përcaktohet si kandidat, ai do të jetë i përkushtuar për ndryshime në Lipjan.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje do të përcaktohet për kandidaturën time, natyrisht do t’i përkushtohemi fushatës dhe qeverisjes në Lipjan për të mundësuar që ndryshimi që ka ndodhur më 14 shkurt në Kosovë të zbërthehet edhe në nivel lokal”, thekson Rrustemi.

Derisa partitë tjera kanë zyrtarizuar shumicën prej kandidatëve për kryetar të komunave, Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme që s’ka bërë një gjë të tillë. Sipas tyre, ndër arsyet janë edhe procedurat më të stërzgjatura për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar të komunave. 

Exit mobile version