UBT News

Administrata e Biden padit Teksasin për ligjin kundër abortit

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ngritur një padi civile duke sfiduar ligjin e diskutueshëm të Teksasit për abortin, transmeton UBT News.

“Akti është qartë antikushtetues”, tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në një konferencë të enjten.

Ai ndalon abortet që në gjashtë javë të shtatzënisë dhe lejon këdo që të padisë ata që janë të përfshirë në procedurë.

Mjekët dhe grupet e të drejtave të grave kanë dënuar ashpër ligjin, i cili hyri në fuqi javën e kaluar pasi Gjykata Supreme nuk arriti ta bllokojë atë.

SB8, i njohur gjithashtu si Akti i Rrahjeve të Zemrës në Teksas, hyri në fuqi javën e kaluar pasi Gjykata Supreme nuk iu përgjigj një apeli urgjent të paraqitur nga ofruesit e abortit.

Presidenti demokrat Joe Biden ka qenë nën presion për të vepruar pasi ligji hyri në fuqi më 1 shtator.

Javën e kaluar, Biden u zotua për një përgjigje “nga e tërë qeveria”. Mos bllokimin e ligjit nga ana e Gjykatës Supreme, ai e quajti “një sulm të paparë” mbi të drejtat e grave, përcjell UBT News.

SB8 ndalon abortet pas zbulimit të asaj që aktivistët kundër abortit e quajnë rrahje zemre fetale.

Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve ka thënë se termi është mashtrues dhe ajo që po zbulohet në një fazë kaq të hershme të shtatzënisë është një pjesë e indit të fetusit “që do të bëhet zemër ndërsa embrioni zhvillohet”.

Ligji gjithashtu u jep individëve të drejtën të padisin këdo që siguron ose lehtëson qasjen në një abort pas pikës gjashtë javore.

Njerëzve që padisin me sukses sipas ligjit do të shpërblehen me të paktën 10,000 dollarë.

Guvernatori republikan i Teksasit Greg Abbott ka mbrojtur ligjin, duke u zotuar se shteti i tij “gjithmonë do të mbrojë të drejtën e jetës”.

Zyrtarët në disa shtete të tjera amerikane kanë thënë se po shqyrtojnë ligje të ngjashme./UBTNews

Exit mobile version