UBT News

Adidas do të tërheqë ankesën për logon e Black Lives Matter

Gjiganti i veshjeve sportive, Adidas njoftoi të mërkurën se e ka në plan të tërheqë një ankesë kundër Fondacionit të Rrjetit Global të Black Lives Matter, pas reagimit të tyre.

“Adidas do të tërheqë ankesën e saj…sa më shpejt të jetë e mundur”, tha një zëdhënës i kompanisë, duke mos dhënë shpjegime të mëtutjeshme.

Marka gjermane e ka paraqitur atë ankesë dy ditë më parë në zyrën e markave tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa u përmend kërkesa e BLM-së e vitit 2020 për të vendosur tri vija të verdha në logon e saj. Megjithatë nga Adidas thanë se ky dizajn ishte disi i ngjashëm me modelin e saj të famshëm me tre shirita.

Avokatët e markës Adidas thanë se këtë logo ajo e ka që nga viti 1952, ka famë ndërkombëtare dhe njihet jashtëzakonisht shumë në publik. Në arsyetimin e kompanisë thuhet se klientët mund të supozojnë se bluzat BLM dhe mallra të tjera janë licencuar nga Adidas.

Një proces gjyqësor me shtëpinë e modës Thom Browne gjatë muajit janar zbuloi se Adidas ka ngritur më shumë se 90 padi në lidhje me logon e saj që nga viti 2008./UBTNews/

Exit mobile version