Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka dal kundër idesë që në Superligën e Kosovës në futboll të aplikohet edhe sistemi i ‘Final Four’ për titullin e kampion, një sistem që po aplikohet në shumë vende, madje së fundit edhe në Shqipëri.
Ademi ka thënë se një gjë e tillë nuk është në planet e tij për momentin dhe kjo për shkak se në Kosovë mungon infrastruktura e duhur e stadiumeve.
“Nuk e mendoj ta bëjë atë në ligën e Kosovës për momentin sepse ne së pari nuk e kemi infrastrukturën e nevojshme, nuk i kemi stadiumet e tilla. ‘Final Four’ bëhet për t’i pasur disa ndeshje më interesante dhe thjeshtë kjo është bërë për përfitim të të drejtave televizive dhe për bileta për klubet për të pasur shikueshmëri dhe profit më të mirë. Unë nuk konsideroj që në Kosovë mund ta kemi atë për faktin që nuk kemi stadiumet të tilla ose nuk e kemi një çmim të biletës. Shqipëria e ka bërë promocion dhe nuk është që nuk bëhet, mund ta bëjmë shumë lehtë, por realisht nuk e mendoj njëherë ta bëjë derisa të kryhet infrastruktura”, ka thënë Ademi.
Ndryshe, Superliga e Kosovës në futboll, edicioni 2024-25 ka nisur dhe tashmë janë zhvilluar dy xhiro të tij.