UBT News

Ademi në 8-vjetorin e anëtarësimit në FIFA: Kosova është histori suksesi

Kosova para tetë vjetësh aderoi si anëtarja e 210-të e shtëpisë së madhe të futbollit FIFA në Kongresin e 66-të të kësaj organizate sportive në Meksiko.

Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar më 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës.

Me këtë rast, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se deri tek kjo arritje e madhe, Kosova erdhi me kontributin e figurave të mëdha sportive si Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahutm Sabri Hashanit, Fadil Vokrri e të tjerë.

“13 maj 2016 është një datë tjetër e rëndësishme, e paharrueshme dhe historike, jo vetëm për komunitetin e futbollit, por edhe për shtetin e Kosovës.Nuk mund të përshkruajmë rëndësinë e kësaj ngjarjeje pa përshëndetur punën dhe sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan në këtë rrugëtim. Duke filluar epoka e guximshme e mëvetësimit nën udhëheqjen e Agim Bytyqit, vazhduar me epokën e rezistencës dhe ekzistencës nën drejtimin e Rexhep Abdullahut e Sabri Hashanit, dhe me epokën e ndërkombëtarizimit nën udhëheqjen e legjendës Fadil Vokrri, çdo pjesëmarrës ka lënë gjurmët e tij dhe gëzon respekt”, ka shkruar Ademi në Facebook.

Ai ka shtuar se në këtë rrugëtim tetëvjeçar, Kosova tashmë është bërë një histori suksesi.

“Tani, tetë vjet pas anëtarësimit, Kosova, falë mbështetjes së UEFA-s e FIFA-s, është transformuar në një histori suksesi. Bashkërisht, kemi bërë përparime të mëdha në masovizimin dhe zhvillimin e futbollit si dhe kemi ndihmuar të rinjtë tanë të përfshihen në këtë sport”, ka theksuar Ademi.

Exit mobile version