Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është gati për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve, ku Kosova do të përballet me Qipron.
Stadiumi kishte qenë mbyllur për shkak të nevojës për rikuperimin e barit, i dëmtuar gjatë ndeshjeve të muajit shtator.
Ademi ka theksuar se pas një vizite me ekspertin e mirëmbajtjes, fusha është në gjendje të mirë dhe do të jetë gati për ndeshjen e U21 mes Kosovës dhe Polonisë, që zhvillohet të premten, si dhe për ndeshjen e Ligës së Kombeve. Pas këtyre ndeshjeve, plani është që fusha të kalojë sërish në rikuperim për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme.
“Sot vizitova fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” së bashku me ekspertin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së fushës. Tani ajo është në gjendje të mirë dhe mund të jemi të qetë për ndeshjet e radhës të U21, Kosova-Polonia, që luhet të premten dhe për ndeshjen e Ligës së Kombeve, Kosova-Qipro, që zhvillohet javën e ardhshme. Pas këtyre ndeshjeve, fusha do të kalojë në rikuperim që të jetë gati për sfidat e ardhshme”, ka njoftuar Ademi./UBTNews/