UBT News

Accident tragjik në Vragoli: Humb jetën këmbësori, lëndohen dy të tjerë

Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, përkatësisht në fshatin Vragoli.

Siç raporton Ekonomia Online, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, kur një veturë ka goditur për morto një këmbësor.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, e cila bëri të ditur se në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante dhe ekipe mjekësore, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e viktimës.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime po ashtu kanë marrë i dyshuari, vozitësi i veturës, si dhe një pasagjer”, ka deklaruar Mehmeti.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, njësitet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik. /Ekonomia online/

Exit mobile version