UBT News

AC Milan interesohet për shërbimet e talentit me origjinë shqiptare

Talenti irlandez me origjinë shqiptare, Rocco Vata, dhuroi spektakël në ndeshjen e 22 marsit me fanellën e Kombëtares së Irlandës U-21 gjatë duelit të vlefshëm për kualifikimet e Evropianit të 21-vjeçarëve ndaj San Marinos. 

Kështu pas paraqitjeve të shkëlqyeshme të futbollistit i cili u aktivizua te Celtic, skuadra e AC Milan ka shprehur interesim për të nënshkruar me të dhe po eksploron për një marrëveshje parakontrate.

Kush është Rocco Vata?

Vata është djali i ish-mbrojtësit të Celtic, Rudi Vata dhe ai gjithmonë ka ndjerë një lidhje me klubin skocez, me të cilin edhe nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në moshën 16-vjeçare në korrik të 2021.

Ai u rrit në Akademinë e Celtic. Filloi që kur ishte shtatë vjeç dhe mori vendimin për të përfaqësuar Irlandën në nivel të të rinjve, duke bërë rrugën e tij deri në radhët e akademisë në Celtic, më vonë u bë pjesë e ekipit B të Celtic.

Debutimi i tij me ekipin e parë erdhi gjatë sezonit 22/23, duke u inkuadruar nga stoli në një fitore 4-0 kundër Hibernian.

Në pjesën e parë të sezonit 23/24, 18-vjeçari ishte golashënuesi më i mirë i të rinjve, duke luajtur si mesfushor i avacuar dhe si anësor.

Dhe sipas raportimeve, flitet se Milani ka rritur interesin për nënshkrimin e Vatës duke e parë atë gjatë dy viteve të fundit. Gjithashtu talenti shqiptar po i afrohet fundit të kontratës që do të thotë se ai do të jetë i disponueshëm si një transferim i lirë.

Megjithatë për shkak të rregullave në lidhje me kompensimin për shkak të klubeve që kanë zhvilluar lojtarë përmes akademive të tyre që janë nën një moshë të caktuar, do t’i kushtonte Milanit 400 mijë euro për ta sjellë atë.

Gjithsesi interesi është shumë konkret dhe janë diskutuar për një parakontratë në prag të verës. Lojtari thuhet se është entuziast për të bërë lëvizjen./UBTNews/

Exit mobile version