Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka reaguar pas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ku kandidati i kësaj partie për kreytar të Prishtinës, Uran Ismaili u rendit i treti për nga numri i votave.
Tahiri thotë se Uran Ismaili nuk e fitoi mandatin por fitoi respektin dhe zemrat e prishtinasve.
“Urani nuk e mori mandatin, por fitoi respektin, vlerësimin dhe zemrat e qytetarëve të Prishtinës, për t’i mbajtur ato të lidhura deri në fitoren e pashmangshme të së ardhmes. Atë çfarë ai ka arritur në këto zgjedhje në kryeqytet, është përmbushje, inkurajim dhe obligim për të vazhduar punën për Prishtinën dhe qytetarët e saj. Me shembullin e tij, na ka dëshmuar të gjithëve se ku ka përkushtim e vullnet, nuk ka barrierë e hendek që s’kapërcehet. Shumë krenar me Uranin dhe vullnetin e tij të hekurt, për t’i dhënë kuptim të ri dimensionit të politikës për qytetarët dhe në shërbim të tyre pa dallim”, ka shkruar Tahiri.