UBT News

Abdixhiku uron 4 Korrikun: Kontributi i SHBA-së për lirinë dhe shtetformimin e Kosovës, i jashtëzakonshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar se ShBA-ja është shembulli më domethënës i angazhimit për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të sigurt.

Në mesazhin e tij, Abdixhiku theksoi rëndësinë historike të 4 Korrikut të vitit 1776, ditës kur u shpall pavarësia e SHBA-së, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë botërore.

4 Korriku i vitit 1776 shënon një prej datave më të rëndësishme në historinë botërore – shpalljen e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ngjarje nuk është vetëm lindja e një shteti në kuptimin formal, por lindja e një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë,” u shpreh Abdixhiku.

Më tej, Abdixhiku përmendi edhe trashëgiminë politike të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke theksuar miqësinë me SHBA-të si një vizion të pandryshueshëm.

SHBA-të pra janë shëmbulli më domethënës i angazhimit për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të sigurt. Për shumë shtete, përfshirë edhe shtetin tonë, Republikën e Kosovës SHBA-të janë model frymëzimi dhe mbështetjeje. Kontributi amerikan për lirinë, shtetformimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës është i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm. Miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm, ashtu siç e artikuloi qartë Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Exit mobile version