Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se këtë verë është goditur shtetësia e Kosovës. Sipas tij, vendimi i Bashkimit Evropian për njohjen pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës tregon për gjendjen fatale të vendit. Ai në seancë plenare foli edhe për hapjen e Urës së Ibrit, për çka tha se LDK është kundër përplasjes me NATO-n, teksa shtoi se Kosova po rrezikon përjashtimin nga procesi i Berlinit si shkak i populizmave.
Kreu i LDK-së u shpreh se Kosova ka zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve.
“Në pabesinë më të madhe historike kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve tanë, i sulmojmë ata, i godasim ata për të marrë në fund asnjë rezultat, veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend evropian. Prandaj për katër vjet nuk kemi as edhe një njohje. Prandaj për katër vjet nuk kemi asnjë anëtarësim. Prandaj ne Republika e Kosovës jemi nën masa e nën sanksione. Një politikë e tillë disfasiste e njohim shumë qartë. E kemi mundur 25 vjet më parë, ne njerëzit e lirë të Republikës së Kosovës. veçse ne ishim vet e u bëmë me aleat, ne ishim në të drejtën tonë edhe në sytë e të tjerëve. Ne ishim të suksesshëm në rrugën e vështirë të njohjeve e anëtarësimeve, e kundërshtarët tanë i lamë në sanksione, të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike. Duket se koha ka rrotulluar tavolinat. Kështu ndodhë kur në momente të rëndësishme historike udhëhiqesh nga politika të pa përgjegjshme, populliste e në kriza përplot mllef e urrejtje ndaj gjithësecilit”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së shtoi se Kosova është në prag të përjashtimit nga procesi i Berlinit si shkak i politikave populliste.
“Në këtë rrotullim të tavolinash, shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i Bashkimit Evropian i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. ta kuptojmë për pak këtë gjendje fatale për Republikën. BE njeh autoritetin shtetar serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës, 17 vjet pas pavarësisë, 25 vjet pas lirisë. Si mund të mburremi ne me një përfundim të tillë, ku qenka suksesi i sjelljes sonë diplomatike e sovrane. Dhe në këtë rrotullim tavolinash, jemi në prag të përjashtimit edhe nga procesi i Berlinit për të humbur kështu përfundimisht barabarësinë e trajtimit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këto janë pasoja serioze të kësaj politike populiste, kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tanë historik, rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar mirë”, shtoi ai.
Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, Abdixhiku u shpreh se janë kundër përplasjes me NATO-n dhe se ky është orientimi popullor i Kosovës.
“Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n. Për ta thënë shkurt, shqip, qartë sepse ka një vijë që se kalojmë dot, NATO dhe Kosova janë bashkë, asnjëherë përballë. Ky është orientimi popullor i Kosovës dhe qytetarëve tanë dhe ju garantojë se në asnjë dëshirë sado e errët dhe ekstremiste që është nuk mund e as do ta testojë e më pak ta ndryshojë këtë orientim pro-perëndimor të Kosovës. Por ja që përveç Urës së Ibrit, ka edhe një urë tjetër këtu në Badovc. Aty nuk ka NATO, nuk ka media, aty nuk ka asnjë pengesë të vetme që kjo urë të përfundojë. Tash e sa vite mijëra vetura në ditë kapërcejnë nëpër rrugën që nuk ka urë, por qeverinë nuk e ke aty. As duke lyer, as duke testuar, e aq më pak duke ndërtuar atë. Dhe kjo është zgjedhja jonë sot qytetarë, zgjedhja mes një politike që krijon temë të brendshme elektorale pa asnjë rezultat, përkundrazi me ngulfatje të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, shtoi ai.
Në deklarimin e tij gjatë seancës së sotme, Abdixhiku tha se lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon, e siç shtoi ai, edhe politika e zymtë e përplasëse.
“Lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon dhe me të dhe një politikë e zymtë, përplasëse e ndarëse brenda shqiptarëve. Një që na ka mbytur e na ka mbyllur në mes vete. Jemi vetëm 5 muaj larg nga qëllimi ynë i mbarë. Me zgjedhje të reja, me qeveri të re, me ide të reja, e ardhmja që e kemi kërkuar gjithherë është thjeshtë e ndritshme dhe e mundshme”, përfundoi Abdixhiku.