UBT News

Abdixhiku refuzon ftesën e Haxhiut, PDK dhe Aleanca gjithashtu nuk marrin pjesë në takim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin e liderëve të partive politike.

Siç raporton KOHA, nga LDK-ja kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në takim, pasi Haxhiun e konsiderojnë vetëm deputete të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, LDK-ja është shprehur e gatshme të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për të diskutuar zhbllokimin e situatës politike.

Ftesën e Haxhiut e kanë refuzuar edhe PDK-ja dhe Aleanca. Nga PDK-ja kanë deklaruar se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të trajtohet vetëm pasi të funksionalizohet Kuvendi.

Edhe Aleanca ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke kërkuar fillimisht konstituimin e Kuvendit. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se partitë opozitare nuk duhet të fajësohen për refuzimin e takimit.

Haxhiu kishte ftuar liderët e partive ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ të martën në orën 09:00, për të diskutuar zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, përfshirë zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe formimin e institucioneve.

Ndërkohë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka deklaruar se fillimisht duhet të arrihet marrëveshje për presidentin dhe më pas do të ftohen deputetët për vazhdimin e seancës së konstituimit të Kuvendit./A.K/

Exit mobile version