UBT News

Abdixhiku: Qeveria duhet të ketë qëndrim politik mbi dialogun

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kërkoi pozicion politik të ekzekutivit për dialogun me Serbinë.

Abdixhiku para gazetarëve tha se Kurtit në takimin rreth një orësh, i kërkoi qartësim për deklaratat rreth dokumenteve për dialog, kërkesë që t’ia paraqesë Kuvendit qëndrimin zyrtar për dialog dhe ofertën e LDK-së për të njëjtën.

“Ne bëmë një qartësim, një kërkesë dhe një ofertë. Qartësimi ishte mbi dokumentet e dorëzuara te kryeministri. Ne ri konfirmuam edhe një herë se të gjitha dokumentet që ka pasur qeveria e kaluar i janë dorëzuar kryeministrit. Nëse nuk i kanë ose i kanë humbur, mund t’i kërkojnë sërish. Bëmë një kërkesë që kishte të bënte me pozicionin politik që kjo qeveri duhet ta ketë dhe të prezantojë në Kuvend”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi i qeverisë për dialogun.
Kryeministri tashmë ka një dokument, i cili përmban parime që janë diskutimi mbi bazën e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues. Gjithashtu, rezultati final duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në BE e NATO”, ka shtuar Abdigjiku.

Abixhiku tha se tani është koha që kryeministri ta dëshmojë veten mbi temat që sipas tij tashmë ka qëndrim ‘të ri-dizajnuar’ siç janë çështja e reciprocitetit, kërkim-falja, dialogu i brendshëm para dialogut të jashtëm. Tani janë këto pozicione të ri-dizajnuara të kryeministrit”, tha Abdixhiku.

Krahas kësaj, ai theksoi se LDK nuk do të jetë pjesë e asnjë ekipi negociator, por do të ketë rolin e saj për dialogun në Kuvendin e Kosovës.

Ky është takimi i dytë i kryeministrit Albin Kurti me liderët opozitarë. Për dallim nga Abdixhiku dhe Haradinaj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj nuk pranoi të takohet me shefin e ekzekutivit./UBTNews

Exit mobile version