Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreu i LDK-së bëri të ditur se pa ndryshuar pozicionet politike të partive nuk pret ndonjë përparim.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku.
Ai theksoi se qëllimi i LDK-së ka qenë gjithmonë gjetja e një zgjidhjeje, ndërsa shprehu keqardhje se procesi po shkon drejt një rruge pa zgjidhje afatgjatë.
“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate”, u shpreh ai.
Lideri i LDK-së bëri me dije se partia e tij ka kërkuar që ta propozojë emrin për postin e presidentit.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku. /Ekonomia Online/
