Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në tryezën e organizuar nga Lëvizja FOL ka adresuar kritika për qeverinë Kurti, që sipas tij e kanë nisur dobët punën më ekzekutiv.
“Kjo qeveri fatkeqësisht për Kosovën ka treguar se e ka startin më të dobët. Nga pjesëmarrja në zgjedhjet në Shqipëri, e deri të mesazhet që po i dërgojnë jashtë. Ka një arrogancë të pashpjegueshme që natyrisht do t’i kthehet boomerang në kohë”, ka thënë ai.
Abdixhiku në debatin “Fol hapur” tha edhe se i gjithë kabineti i Kurtit është i dobët dhe se kanë mungesë serioze të përfaqësimit të ideve në publik.
“I gjithë kabineti qeveritar është i dobët. Një pjesë e tyre kanë qenë ish drejtor në Komunën e Prishtinës dhe punën e tyre e kemi parë. Mungesë serioze të përfaqësimit të ideve në publik. Kushdo që lexon programin qeverisës e kupton sa i thatë është. Është një qeveri e praktikantëve dhe jo qeveri e burrave dhe grave më të mira të vendit që duhet të udhëheqin guximshëm”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Ai ka thënë se LDK nuk do të sillet sikur Vetëvendosje në opozitë.
“Në takim me Kurtin i kam kërkuar të ketë pozicion politik të qartë sepse duhet t’iu prezantoj qytetarëve, shoqërisë civile dhe ekspertëve. Dokumenti që i kemi dorëzuar përmban disa parime rreth të cilave duhet të sillet Kosova, mos të diskutohet për Kosovën por të diskutohet me Kosovën si palë. Kosova të respektojë vendimin e GjND-së sa i përket statusit të saj. Të ketë konfirmim të plotë të qeverisë që çështjet e organizimit territorial nuk do të diskutohen ne dialog”, ka thënë Abdixhiku.