Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzicionale dhe “unifikuese”.
Propozimi i Abdixhikut vjen pas një letre që ai e mori nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për koalicion qeverisës dhe pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja rreth tre muaj pas zgjedhjeve.
“Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të tranzicionit”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.
Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.
“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.
Ai i ktheu përgjigje Kurtit edhe përmes një letre pas marrjes së kërkesës për koalicion qeverisës, në të cilën, ndër të tjera, thuhet se Kosova ndodhet në “një krizë të thellë politike dhe institucionale për shkak të dështimit tuaj të krijoni partneritete politike që do ta garantonin shumicën”.
Abdixhiku tha se i ka ftuar liderët e partive parlamentare dhe se e fton edhe Kurtin, për takim konsultativ për ta nisur këtë proces.
Ai tha se qeveria e tranzicionit do të kishte një kryeministër “unifikues” dhe se do të zgjaste deri në kohën kur vendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, pra në prill të vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.
“Po flasim për qeveri nacionale të tranzicionit, të unitetit të tanishëm, të domosdoshëm për Kosovën dhe me afat të shkurtër. Me kryeministër dhe kabinet unifikues deri në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, tha ai.
Kurti e përsëriti të martën gjatë një ngjarjeje në Gjilan se ai “unë do të jem kryeministër dhe vazhdojmë tutje”, pasi ishte pyetur rreth formimit të institucioneve të reja.
Abdixhiku tha se disa prej liderëve të partive parlamentare kanë shprehur gatishmëri për këtë dhe se Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka pranuar ftesën.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse, që është pamjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi Partia Demokratike e Kosovës, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postimin e kryetarit të Kuvendit.
Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, po dështon për shkak se Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.
Haxhiu shihet nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, derisa LDK-ja nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj./REL/