Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku paralajmëroi një takim me presidenten, Vjosa Osmani.
Sipas tij, gjendja është e zymtë, e rëndë dhe e paprecedent në Kosovë.
Ai theksoi se LDK nuk mund të qëndrojë duarkryq në këtë situatë. Pas takimit me opinionistë dhe gazetarë, tregoi se do të ketë edhe takime të tjera.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku tha se në takimin e sotëm ka prezantuar disa nga pikat e planit, siç tha ai, për të dalë nga kjo krizë.
“Sot ishte një pasurim i mirë edhe i propozimeve tona nga diskutuesit në këtë takim dhe besoj se do të jetë i njëjtë edhe me grupet tjera të interesit, e në fund do ta bëjmë edhe publik, sepse qëllimi është që ta kemi si kauzë të gjithmbarshme të LDK-së. Kjo është faza e parë e diskutimeve. Unë do të vazhdojë më pas diskutimet edhe në fazat e tjera me akterët e ndryshëm partiak, përfshirë edhe presidenten e Kosovës, e cila duhet të ketë një qëndrim mbi këtë çështje në një të ardhme të afërt”, deklaroi Abdixhiku.
Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë ditës tha se nuk do takojë të enjten kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Abdixhiku tha se kjo tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova.
“Natyrisht se kryeministri i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë. Çdo kryeministër i Shqipërisë duhet të jetë gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë një çështje të tillë, nëse duhet të mirëpritet një kryeministër i Shqipërisë tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova dhe nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje sinqerisht. Kryeministri i Shqipërisë, pozicioni i tij, atë që përfaqëson ai dhe populli shqiptar janë të mirëseardhur në shtëpinë e tyre në Kosovë, gjithmonë”, shtoi Abdixhiku.
Pas më shumë se tri orë nga takimi i parë i këtij formati të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kreu i kësaj partie tha se gjendja është e rëndë dhe e zymtë.
“Ky është takimi i parë, kemi ftuar opinionistë dhe gazetarë. Pas këtij takimi, ne do të organizojmë organizatat e shoqërisë civile për të marrë mendimin e tyre dhe për të shtruar pikëpamjet tona në atë mendim. Takimi i tretë do të jetë me botën akademike dhe me ish-diplomatë të Kosovës gjithandej. Dhe takimi i katërt do të jetë me sektorin privat, pra me bizneset e Kosovës… Gjendja e tanishme është e rëndë, është e zymtë, është e paprecedent për Kosovë. LDK si forca më e vjetër politike në vend nuk mund të qëndrojë duarkryq në këtë përballje. Prandaj kërkon mobilizim më të madh përtej vetës, përtej politik për të gjetur rrugën e tretë dhe të vërtetë të Kosovës në këtë moment tensionues dhe të rëndë”, u shpreh Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së shtoi se në këtë takim me opinionistë e gazetarë kishte mendime të pasura dhe publike nga figura të ndryshme të cilat tashmë janë thënë pas situatës së krijuar në vend.