UBT News

Abazoviq fton Kurtin në Mal të Zi: Politika e së ardhmes është ajo e pajtimit

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka deklaruar se asnjë nismë për bashkëpunim ekonomik në Ballkanin Perëndimor nuk do ta shohin si armiqësore.

Abazoviq, në cilësinë e vëzhguesit të Ballkanit të Hapur, sot në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se politika e së ardhmes është e pajtimit dhe progresit.

Ai i ftoi të gjithë liderët rajonal, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të vizitojnë Malin e Zi dhe të diskutohet për nismat e përbashkëta të bashkëpunimit.

“Politika e së ardhmes është politika e pajtimit, progresit, përparimit dhe respektimit të ndërsjellë. Prandaj dua të them se i keni duart e zgjatura nga Qeveria e Malit të Zi për të nxitur të gjitha nismat që nënkuptojnë progres të përgjithshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor që asnjë nismë nuk do të shikojmë si armiqësore. Përkundrazi, si mekanizëm që mund të na ndihmojë të kemi efekt dhe të jemi pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian… Të gjitha vendet dhe liderët e Ballkanit Perëndimor janë të mirëseardhur në Mal të Zi. Pres që në këtë strukturë edhe me kryeministrin e gjashtë të Kosovës që të vini në Mal të Zi dhe së bashku të flasim për nismat e përbashkëta”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, tha se komuniteti i biznesit dhe qytetarët boshnjakë e mbështesin “Ballkanin e Hapur”, mirëpo, ende s’ka konsensus politik për t’iu bashkuar kësaj iniciative rajonale.

“Bosnja Hercegovina për fat të keq nuk ka konsensus për projektin e ‘Ballkanit të Hapur’. S’ka përgjigje serioze pse, s’ka as përgjigje negative. Thjesht është një heshtje. Nëse kemi iniciativë të shkruar, ajo qëndron në sirtarë të atyre që vendosin. Sipas meje, shkaqet janë një pjesë e paragjykimeve të kaluara, kush është propozues i kësaj iniciativë, kush do të përfitojë, a është kjo iniciativë për Ballkanin Perëndimor, apo Bashkimin Evropian, ka pasur edhe ndikime politike të grupacioneve të caktuara që vlerësonin se ai do të ishte një mossukses nëse kjo iniciativë do të ishte pranuar… Unë jam këtu se e di se i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnje e mbështet projektin e ‘Ballkanit të Hapur’”, tha ai.

Exit mobile version