Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka hendikep të madh faktin se kryesuese të Grupit Parlamentar ka një person që nuk vjen nga ky subjekt politik, për çka pohoi se ka kërkuar largimin e saj nga kjo pozitë udhëheqëse.
Abazi në një konferencë për media ku foli për lidhur me hapësirën e deputetit në Kosovë dhe çështje tjera politike e partiake tha se diskutimet nëpër studio, duke i quajtur deputetët “analfabetë” e të “papërgatitur” nuk qëndrojnë, pasiqë sipas tij, kjo ka të bëjë me skenarë që paraqiten në seanca plenare e që nuk lënë hapësirë të mjaftueshme për deputetët të angazhohen.
“Shumica e deputetëve kanë gatishmëri që të përgatiten, por janë dy probleme themelore brenda këtij skenari, njëri është se si bëhet ndarja në komisione parlamentare, sepse shumica e deputetëve janë të panjoftuar me substancën që diskutohet në komisione parlamentare… Ekziston një shkëputje e hallkës së debateve dhe diskutimit përmbajtësor për të gjithë deputetët se çfarë ndodh. Dhe e dyta, në rastin e GP të VV-së, ne kemi një hendikep të madh sepse kemi kryesues të GP një njeri që nuk vije nga GP i yni. As nuk është krijuar dhe as nuk është tentuar të krijohet një kohezion i brendshëm për të arritur që deputetët të japin më të mirën për çështjet dhe të ndërtojnë pronësinë mbi proceset e parlamentit mbi të cilat ne kalojmë… Nuk jam duke dalë prej Vetëvendosjes, mendoj që problemet e brendshme brenda Vetëvendosjes janë kryer”, tha ai derisa shtoi se është koha e fundit që t’i kthehen debatit.
Ai ka pohuar se ka kërkuar largimin e Kusari-Lilës nga pozita e kryesueses së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.
“Po (kam kërkuar largimin e Mimoza Kusarit nga pozita e kryesues të GP), edhe sot unë e thash në mënyrë implicite që mungesa e kohezionit që një deputet që nuk është pjesë e VV-së të udhëheq një grup kaq të madh është problematike. Kjo sepse dinamiket brenda Lëvizjes e bëjnë kompleks udhëheqjen e GP”, u shpreh ai.
Abazi foli edhe për draft-strategji për energjinë, për të cilën tha se është e njëjta me ato të qeverisjeve të 20 vjetëve të fundit, duke theksuar se duhet të ndryshohet.
“Mendoj se është momenti ta tejkalojmë problematikën e 20-vjeçarit dhe dështimit në sektorin energjetik dhe të fokusohemi në të tashmen dhe në të ardhmen. Unë them se strategjia që është përgatitur për energjinë është përsëritje me ndryshim të vendeve të togfjalëshave nga strategjitë e 20 vjetëve të fundit dhe ne e dimë se ku na kanë sjell ato strategji. Fakti që edhe kjo draft-strategji e ka kryefjalën te ndërtimi i kapaciteteve të reja prej qymyrit e bën strategjinë në kundërshtim me trendët dhe agjendën e gjelbër të BE-së dhe nuk ofron asnjë zgjidhje përveç argumenteve të së kaluarës që është në dëm të madh për shëndetin publik”, tha ai.
Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim që draft-strategjia nuk është në linjë me atë që kërkohet dhe me atë që ne si vend duhet kaluar.