Fisnik Asllani ka reaguar pas barazimit 1-1 të Kosovës ndaj Austrisë, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sulmuesi i Kosovës ishte një nga protagonistët kryesorë të “Dardanëve”, pasi u inkuadrua në lojë në minutën e 67-të dhe vetëm tri minuta më vonë shënoi golin e epërsisë 1-0.
Asllani përfitoi nga një asistim i Edon Zhegrovës për ta dërguar topin në rrjetë dhe për t’i dhënë Kosovës avantazhin në pjesën e dytë. Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta ruanin epërsinë deri në fund, pasi Christoph Lang barazoi rezultatin në minutën e 85-të.
Pas përfundimit të ndeshjes, Asllani reagoi përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, duke iu referuar edhe periudhës së vështirë që ka kaluar.
“Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi”, shkroi Asllani.
Goli ndaj Austrisë ishte një tjetër moment i rëndësishëm për sulmuesin në fanellën e Kosovës, ndërsa kombinimi i tij me Zhegrovën i dha “Dardanëve” epërsinë në pjesën e dytë.
Megjithëse Kosova nuk arriti ta merrte fitoren, paraqitja e Asllanit dhe goli i tij mbeten ndër momentet pozitive të kësaj ndeshjeje.
D.L
