Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim unik Arbër Havollin, i akuzuar për vrasjen e ndodhur më 6 shtator 2025 në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.
Trupi gjykues e dënoi Havollin me 19 vjet burgim për veprën penale “Vrasje” dhe me dy vjet burgim për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke shqiptuar ndaj tij dënimin unik prej 20 vjetësh burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
I dënuari është ngarkuar po ashtu me shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 150 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 6 shtator 2025, rreth orës 19:30, në rrugën “Hysen Havolli” në Llapashticë të Epërme, Havolli ishte afruar te vetura e viktimës B.S., e cila ndodhej e ndalur përballë një marketi. Pas një bisede me viktimën, i akuzuari kishte shtënë nëntë herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur. Havolli ishte arrestuar nga policia më 23 tetor 2025.
