Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superliga e Kosovës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që i jepet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e 24-të të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ballkani, Almir Kryeziu. Ai pati një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen ndaj FC Drita, ku shënoi një gol dhe asistoi në një tjetër në fitoren 3-0 të skuadrës së tij.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas marrjes së çmimit, Kryeziu u shpreh i lumtur për vlerësimin dhe për fitoren e ekipit.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë, sepse Drita ka një skuadër shumë të mirë. E kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe jemi shumë të lumtur për këtë fitore. Jemi në vendin e parë me pikë të barabarta, por kemi edhe shumë ndeshje të cilat do t’i luftojmë. Falënderoj komisionin për vlerësimin, klubin dhe jam i lumtur që jam në formë dhe po mund ta ndihmoj ekipin”, deklaroi ai për faqen zyrtare të FFK-së.
