UBT News

AAK: Përmbajtja e marrëveshjes politike është kryesore, jo emrat e kandidatëve

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani dhe Time Kadrijaj, deklaruan se kjo parti nuk ka kontestime lidhur me emrat e kandidatëve për president, por kërkon qartësi në përmbajtjen e marrëveshjes potenciale politike. Këto qëndrime ata i bënë të ditura gjatë një deklarate për media, ku ritheksuan gjashtë kërkesat kryesore të partisë për mbështetjen e formimit të institucioneve të reja.

“Për ne është e rëndësishme se institucionet e ardhshme të Kosovës a do e fusin Kosovën në gazin amerikan; a do të krijojnë kapacitetet me qymyr për energjetikën e Kosovës, dhe në secilin variant të partive tjera, ne do të shohim se çka ka në ato marrëveshje dhe jo kush janë. Aleanca mbetet në qëndrimin e vet sepse ka qenë e para dhe e vetmja që flet për përmbajtje e jo për emra”, u shpreh Ramadani në konferencë.

Tutje, Ramadani nënvizoi se për Aleancën prioritet mbetet substance dhe jo aspekti formal apo emrat e përveçëm. Ai sqaroi se partia do të shqyrtojë me kujdes nëse marrëveshjet politike përfshijnë projekte strategjike, si integrimi në gazin amerikan apo zhvillimi i kapaciteteve energjetike me qymyr. Sipas Ramadanit, Aleanca mbetet e vetmja që vendos përmbajtjen politike para emrave të kandidatëve.

Gjatë deklaratës, deputetja Time Kadrijaj foli edhe për aksionin e saj simbolik në seancën e fundit konstituive ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ajo sqaroi se veprimi me vezë terminatesh ishte tërësisht spontan dhe nuk do të ndodhte nëse Kuvendi do të konstituohej. Kadrijaj hodhi poshtë pretendimet për organizime paraprake, duke e cilësuar këtë si një manipulim të radhës dhe theksoi se qëllimi i veprimit ishte thirrja për respektimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Aksioni im ka qenë krejt spontan. Nëse kish ndodhë konstituimi i Kuvendit nuk kish pasë gjuajtje me vezë. Nuk ka pasë skenar tjetër. S’ka pasë organizim tjetër. Ky është një manipulim i radhës i LVV-së. Unë kam marrë aksion simbolik që ky njeri [Albin Kurti] të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kadrijaj.

Ndërkohë, në ditët e fundit në opinionin publik janë ngritur debate rreth statusit institucional të u.d. presidentes Albulena Haxhiu pas betimit të saj si deputete. /E.A/

Exit mobile version