Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta anulojë vendimin e djeshëm me të cilin u heqen shtesat pensionistëve.
Ahmet Isufi nga AAK e konsideron këtë veprim jonjerëzor dhe thotë se me këtë vendim është rrezikuar kategoria më e ndjeshme.
“Është johumane, kjo çka ka ndodhur me vendimin e djeshëm. Kërkojmë nga Qeveria ta anulojë këtë vendim”, deklaroi ai në një konferencë për media.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se nga pakoja e djeshme prej 20 milionë euro që u miratua nga Qeveria e Kosovës, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistencë sociale. Ai thotë se Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro./UBTNews