Trepça po kalon një moment shumë të mirë në FIBA Europe Cup, ku ka regjistruar tri fitore radhazi dhe tashmë synon ta vazhdojë serinë pozitive edhe në përballjen e radhës.
Skuadra mitrovicase ka shënuar fitoren e tretë radhazi, pasi në Tbilisi mposhti BC Batumi 2010 me rezultat bindës 70:91, në kuadër të Grupit A.
“Xehetarët” e kontrolluan ndeshjen nga fillimi deri në fund, duke mbajtur epërsinë gjatë gjithë takimit dhe duke mos e vënë në diskutim fitoren.
Më i dalluari te Trepça ishte Drilon Hajrizi me 20 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Shawn Jones dhe Kenny Hasbrouck, të cilët realizuan nga 17 pikë secili.
Tashmë, mitrovicasit do të kenë një sfidë shumë më të vështirë, pasi të mërkurën përballen me liderin e grupit, Trierin, me synimin për ta regjistruar fitoren e katërt radhazi në këtë garë evropiane.
Një tjetër sukses do të ishte një hap i rëndësishëm për Trepçën në vazhdimësinë e garës.
D.L
