Bashkia e Centos në provincën e Ferrarës, ka vendosur të ndëshkojë familjet e të rinjve që janë përgjegjës për aktet e bullizmit.
Në kuadër të rregullores së policisë urbane të kësaj bashkisë ka hyrë në zbatim Neni 7 bis, sipas të cilit mund të vendosen gjoba nga 100-300 euro ndaj atyre që kanë autoritet prindëror ndaj fëmijëve që duhet të kujdesen, në mjedisin shkollor dhe jashtë tij, qëndrime që mund të “përbëjnë dëmtim të sigurisë urbane dhe dëmtim të bashkëjetesës civile”.
Votimi mbi këtë masë do të ndodhë të enjten në Këshillin Bashkiak. Kryetari i bashkisë së Cento, Edoardo Accorsi, shpjegoi se ajo është gjithashtu “një nxitje për ndërgjegjësimin e familjeve, të cilat në disa raste tentojnë që ta shpërfillin fenomenin e bullizmit”.
Në Shtetet e Bashkuara prej disa vitesh, tre qytete në shtetin e Wisconsin – Shawano, Wisconsin Rapids dhe Plovin – kanë filluar të zbatojnë një masë të ngjashme, me gjoba mbi 300 dollarë për prindërit e bullistëve të rinj në moshë (dhe mbi 600 dollarë në rast përsëritje), por vetëm nëse mami dhe babi nuk ndërhyjnë pas episodit “që të mos përsëriten episode të ngjashme” brenda 90 ditëve. Është e vështirë të kuptohet se si mund të ndodhë realisht kjo ndërhyrje, por po aq e vështirë është të kontrollosh nëse kjo ndërhyrje ka ndodhur apo jo.
Codacons, një OJF e njohur në Itali tha se ishte entuziaste për masën e propozuar nga kryebashkiaku i Cento, duke shpresuar se ajo mund të shtrihej në të gjithë Italinë. “Shpesh ngacmimi nga të miturit lidhet me mungesën e vëmendjes dhe indiferencës nga ana e prindërve, të cilët kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për dhunën e ushtruar nga fëmijët e tyre” – shpjegoi presidenti Carlo Rienzi.
Sipas tij mos-edukimi i fëmijëve në mënyrë korrekte dhe mos mbikëqyrja e sjelljes së tyre nxit fenomenin e bullizmit dhe përfaqëson një konkurrencë reale në veprat penale të kryera nga të miturit. “Prandaj ne besojmë se është e drejtë të sanksionohen me ligj ata që kanë autoritetin prindëror”- thekson ai.
Më mirë të paguash sesa të (ri)edukosh?
Por a jemi vërtet të sigurt se mënyra më e mirë për të edukuar bullistët është t’i detyrojmë prindërit e tyre të paguajnë? Të dhënat e ISTAT tregojnë se përqindja më e madhe e viktimave të bullizmit regjistrohet tek ata që jetojnë në zona shumë të pafavorizuara.
Këtë e konfirmon edhe një raport i fundit nga fondacioni Openpolis: 10.5 për qind e fëmijëve që jetojnë në zona shumë të pa favorizuara të vendit kanë vuajtur nga bullizmi një ose më shumë herë gjatë një jave. Midis atyre që jetojnë në zona më pak të varfra, kjo normë bie në 8 për qind.
Raporti thekson lidhjen midis bullizmit dhe varfërisë arsimore, e cila ka të bëjë veçanërisht me fëmijët që jetojnë në zona të vështira dhe në familje që përjetojnë vështirësi të mëdha ekonomike. Dëshmitë që dalin në profilet e evidentuara në Raportin Kombëtar mbi kriminalizimin e të miturve, shpjegon se si margjinaliteti dhe situatat e vështirësive janë një nga elementët që lidhen më shpesh me sjelljen antisociale dhe krimin e të miturve. Por ai tregon gjithashtu se si sjellja devijante mund të shfaqet në të gjitha grupet shoqërore, madje edhe tek të rinjtë që vijnë nga familjet e mesme por edhe të pasura.
Ose e kundërta: A do të mjaftojë një gjobë prej 100 eurosh për të bindur dy prindër të pasur të “edukojnë” më mirë fëmijën e tyre?
Psikologu: Kështu rrezikohet që edukimi të vendoset në plan të dytë
“Është gjithmonë e vështirë të japësh një recetë të përgjithshme për këtë. T’i drejtohesh një ndëshkimi rrezikon të vendosësh në plan e dytë të gjitha ato pjesë të edukimit, parandalimit dhe bashkëpërgjegjësisë mes prindërve dhe shkollës që është absolutisht thelbësore”- thotë Gabriele Raimondi, psikoterapist i specializuar në psikologjinë shkollore dhe president i Urdhrit të Psikologëve të Emilia–Romanjas.
Shpesh, kur flitet për çështje të tilla si bullizmi apo shqetësimi në shkollë, ankthi theksohet si emocioni kryesor i fëmijëve kur ata janë në shkollë. Në shkolla nuk punohet për ndërtimin e një mjedisi jetese më pozitiv. Problem është edhe mungesa e investimeve strukturore, si dhe mungesa e vëmendjes ndaj mirëqenies psikologjike.
Psikologët në shkolla kanë shumë pak orë pune, dhe kjo i pengon ata të kryejnë atë veprim parandaluese që do të ishte thelbësore për reduktimin e kushteve shqetësuese dhe vështirësive brenda të cilave janë të pranishme situatat e bullizmit. Çfarë po bën shkolla për të siguruar që të mos krijohen kushtet e bullizmit dhe diskriminimit?”.
Më mirë ri-edukim
Unë mbetem e bindur se është gjithmonë më mirë të edukosh – ose të riedukosh – sesa të ndëshkosh. Dhe nëse (sepse ndodh që bullistët të vijnë nga familje që janë përpjekur ta edukojnë fëmijën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme) mungon edukimi, në vend se prindërit të detyrohen të paguajnë një gjobë, mendoj se do të ishte më e dobishme që e gjithë familja – prindërit dhe fëmija – të ndjekin së bashku një kurs rehabilitimi, që u tregon qartë se cilat janë pasojat e bullizmit, përfshirë numrin gjithmonë shumë të lartë të viktimave në moshë të re që kryejnë vetëvrasje pasi kanë rënë pre e tij. Pra më shumë riedukim sesa gjoba.
“Today.it” – Bota.al