UBT News

A e dini se ngrënia e ushqimit me shumë ngjyra është e mirë për ju?

Ushqimi i të gjitha ngjyrave të ylberit mund të ndihmojë në rritjen e shëndetit të trurit dhe zvogëlimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, transmeton UBT News.

Shumica prej jush ballafaqoheni me të njëjtën pyetje shumë herë në ditë: çfarë të hani?! Bashkë me çmimin dhe preferencën, shpesh do të përdorni shëndetin e ushqimit për të ju ndihmuar të merrni një vendim.

Por si ta dini që po merrni lëndët ushqyese që ju duhen?

Pra, është pranuar gjerësisht nga studiuesit se ne kemi nevojë për një dietë të larmishme, dhe se një mënyrë për ta bërë këtë është duke ngrënë të gjitha ngjyrat e ylberit. Por a është kjo udhëzuesi më i mirë për të marrë të gjitha lëndët ushqyese që na duhen?

Dëshmia mund të jetë në dietën mesdhetare, e cila përmban shumë fruta, perime dhe yndyrna të shëndetshme siç është vaji i ullirit ekstra i virgjër, dhe shpesh vlerësohet si dieta më e shëndetshme nga shkencëtarët.

“Sidoqoftë, dieta nuk përmban gjithmonë çdo ngjyrë – varet nga stina, pasi ndjekësit e dietës hanë sezonalisht dhe në vend dhe rritin frutat dhe perimet e tyre”, thotë Francesco Sofi, profesor i asociuar i ushqyerjes klinike në Universitetin e Firence.

Ka edhe arsye të tjera që dieta mesdhetare është ndër më të shëndetshmet. Popullatat mesdhetare tradicionalisht ziejnë, në vend që të skuqin perimet e tyre, kjo ruan lëndët ushqyese, sipas tij.

Por përfitimet e dietës nga frutat dhe perimet nuk mund të injorohen. Ngrënia e shumë ngjyrave mund të zvogëlojë rrezikun e humbjes së ushqyesve jetikë.

Ushqimet blu dhe vjollce, përfshirë boronicat, kanë një përmbajtje të lartë të pigmentit bimor antocianin, i cili është lidhur me uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit dy. Flavonet, të cilat i japin ushqimeve një ngjyrë të verdhë, mund të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Pasi ndoqi dietat e 50,000 njerëzve për më shumë se 20 vjet, Tian-shin Yeh, studiuese në epidemiologji në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard TH Chan, zbuloi se ata që hanë më shumë ushqime të pasura me flavonoide, duke përfshirë portokall, speca, selino dhe grejpfrut , kanë nivele më të ulëta të dëmtimit njohës* dhe demencës.

Edhe pse aktualisht nuk ka shërim për demencën dhe dëmtimin njohës, sipas saj, ngrënia e shumë ushqimeve të pasura me flavonoide mund të ndihmojë në uljen e rrezikut.

*Shënim: Dëmtimi njohës është kur një person ka probleme të kujtojë, të mësojë gjëra të reja, të përqëndrohet ose të marrë vendime që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.

Marrë me shkurtime nga BBC, përktheu dhe përshtati: UBT News

Exit mobile version