Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se varianti Omicron i koronavirusit ka një rrezik të lartë të infeksionit përreth globit. Varianti mund të çojë në pasoja të rënda në disa rajone, tha OBSH të hënën. Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebrejesus përsëriti thirrjen për të furnizuar me vaksina vendet më të varfra.
“Covid-19 ende nuk ka mbaruar punë me ne”, paralajmëroi ai. Varianti u zbulua në Afrikën e Jugut herët këtë muaj dhe provat fillestare thanë se rreziku i riinfeksionit është rritur.
Afrika e Jugut është përgëzuar për raportimin e shpejtë të variantit të ri. “Omikroni ka një numër shumë të lartë të mutacioneve, disa prej tyre janë shqetësues për impaktin që mund të kenë në trajektoren e pandemisë” ka thënë OBSH.
Mjekët në Afrikën e Jugut thonë se të infektuarit me variantin e ri të koronavirusit, Omicron po përjetojnë kryesisht simptoma të lehta.
Megjithëse përhapja ka qenë e shpejtë, Dr. Unben Pillay, një mjek i përgjithshëm në provincën Gauteng ku janë raportuar 81% të rasteve të reja, tha se pacientët kanë simptoma të lehta, të ngjashme me gripin, kollë të thatë, ethe, djersitje natën dhe dhimbje trupi. Ai tha se shumica janë trajtuar në shtëpi dhe se të vaksinuarit e kalojnë më lehtë sëmundjen.
Shumica e rasteve të reja në Afrikën e Jugut ka qenë mes personave në të 20-at dhe të 30-at dhe mjekët vënë në dukje se këto grupmosha në përgjithësi kanë simptoma më të lehta të COVID-19.
Ata paralajmërojnë se të moshuarit e infektuar nga varianti i ri mund të kenë simptoma më të rënda.
Rastet e para janë raportuar tashmë në disa vende si Kanada, Britani e Madhe, Portugali, Belgjikë dhe Hollandë.
Varianti i ri ka detyruar Britaninë e Madhe, BE-në dhe SHBA të mbyllin kufijtë me vendet e Afrikës së Jugut. Edhe Japonia ka mbyllur kufijtë për të huajt, ndërsa Australia e ka shtyrë për më vonë planin e shumëpritur të lehtësimit të masave. Hyrja e studentëve dhe punëtorëve të huaj do të shtyhet për në 15 Dhjetor. Edhe Izraeli ka mbyllur kufijtë për të huajt. Në Britaninë e Madhe, doza e tretë iu është ofruar personave mbi 18 vjeç për të parandaluar një valë të re të Omicron.
Presidenti i SHBA, Xho Bajden u ka bërë thirrje amerikanëve “shkoni merrni dozën tuaj të tretë”, ndërsa i nxit të mbajnë maska në ambjente të mbyllura. Por gjithsesi Bajden nuk ka paralajmëruar një mbyllje tjetër këtë radhë.
Që nga nisja e pandemisë ka pasur 261 milion të infektuar dhe 5 milion të vdekur në të gjithë globin.
Çfarë dimë për Omicron
E gjitha është një déjà-vu; shqetësimi dhe frika për një variant të ri të koronavirusit. Ky i fundit shkruan BBC përmban më shumë mutacione se të tjerët, aq sa kur kanë zbuluar listën e gjatë të mutacioneve që përmban varianti i ri, një shkencëtar citohet ta ketë quajtur “të tmerrshme”, ndërsa një tjetër i tha BBC se ky ishte rasti më i rëndë që ai kishte parë ndonjëherë.
Megjithatë, janë vetëm ditët e para dhe shumica e rasteve të konfirmuara janë përqëndruar në një provincë të Afrikës Jugore, megjithëse dita-ditës virusi po shpërndahet në kontinentet e tjera.
Menjeherë janë ngritur pyetjet se me çfarë shpejtësie po përhapet varianti i ri, sa është aftësia e tij për të tejkaluar mbrojtjen që ofron vaksina dhe çfarë duhet bërë për atë.
Ka shumë spekulime dhe shumë pak përgjigje të qarta. Varianti i ri u quajt Omicron nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke ndjekur radhën e emrave në kod pas varianteve Alfa dhe Delta. Mutacionet që ka pësuar virusi janë të shumta. Profesor Tulio Oliveria drejtor i Qendrës për Epidemitë dhe Inovacionin në Afrikën Jugore e quajti një konstelacion me mutacione dhe se ishte shumë i ndryshëm nga variantet e tjera që qarkullonin.
“Ky variant na surprizoi, ka një kapërcim në evolucion dhe shumë mutacione nga sa ne prisnim” tha ai.
Në një dalje për mediat, profesor Oliviera tha se janë gjithsej 50 mutacione dhe 30 prej tyre janë në xhufkën e proteinës, që është edhe në shënjestër të shumicës së vaksinave dhe që është edhe çelësi që virusi përdor për të hapur dyert e qelizave të trupit tonë.
Një nivel i tillë mutacioni me shumë gjasë ka ardhur nga një pacient i vetëm që nuk ia ka dalë ta mundë virusin. Shumë mutacione nuk do të thotë automatikisht: e keqe. Shumë e rëndësishme është të kuptohet se çfarë bëjnë këto mutacione.
Shqetësimi është që ky virus është rrënjësisht i ndryshëm nga origjinali, ai që doli fillimisht në Vuhan të Kinës. Kjo do të thotë se vaksinat që u prodhuan për t’i ndalur këto, mund të mos jetë aq efektive. Disa mutacione janë hasur edhe më parë, që mund të japë një informacion të këtyre varianteve.
Për shembull, N501Y e bën më të lehtë përhapjen e koronavirusit. Vaksinat e kanë të vështirë ta njohin këtë mutacion. Të tjerë mutacione janë krejtësisht të reja.
Profesor Riçard Lesell nga Universiteti Kuazulu-Natal në Afrikën Jugore tha për BBC: “Jemi të shqetësuar se ky virus e ka shtuar transmetueshmërinë, ka shtuar aftësinë për t’u përhapur nga personi në person dhe për më tepër ka fituar aftësinë ta shmangë sistemin imunitar”.
Më parë ka pasur shembuj të varianteve të koronavirusit që janë dukur të frikshme në letër, por asgjë nuk ka ndodhur.
Në krye të rrezikshmërisë u tha se ishte varianti Beta në fillim të këtij viti, sepse ishte i aftë t’i shpëtonte sistemit imunitar. Por në fund, ishte varianti Delta që e pushtoi botën.
Shkencëtarët nga e gjithë bota thonë se një panoramë më e qartë do të jepet pas studimeve laboratorike të Omicron. Përgjigjet do të jenë më të shpejta pas monitorimit të pandemisë në mbarë botën. Nuk është e qartë ende se si do të përhapet varianti i ri tek vendet me një nivel të lartë vaksinimi të popullsisë se sa Afrika e Jugut që ka 24% të popullsisë së vaksinuar.
Prandaj, deri tani varianti i ri i Covid vetëm sa ka ngritur shqetësime të tjera, ndaj pritet që shkencëtarët ta ndjekin me rigorozitet për të kuptuar kur dhe ku duhet vepruar. Mësimi që na ka mësuar pandemia është se jo gjithmonë duhet pritur derisa t’i kesh të gjitha përgjigjet./Lapsi.al