Ende nuk dihet nëse do të zhvillohet apo jo ndeshja vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ishte folur se do të zhvillohet në muajin nëntor, përkatësisht më datë 19-të.
Shqipëria do të ballafaqohet me Italinë më 16 nëntor, ndërsa sot, Supersport, raportoi se kuqezinjtë do të luajnë miqësoren tjetër, vetëm tre ditë më vonë, ndaj Armenisë.
Drejtori sportiv i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, tha se në fakt vëllazërorja me Kosovë-Shqipëri nuk ishte zyrtarisht e konfirmuar, dhe deri më tani nuk ka as vendim zyrtar për zhvillimin ose jo të saj.
“Ndeshja me Shqipërinë në fakt nuk ishte përfundimisht e konfirmuar, andaj edhe nuk ka se si të thuhet që është anuluar”, tha Sahiti.
Ai gjithashtu konfirmoi se të enjten ose të premten Federata e Futbollit të Kosovës do të dal me njoftim zyrtare për dy miqësoret e radhës.
“Brenda dy ditësh do të dalim me njoftim zyrtare për dy miqësoret e radhës”, tha në fund.