UBT News

A do të rriten çmimet e derivateve pas sanksioneve të reja kundër Rusisë?

OPATIJA, 08. 03. 2011. - BENZIN, BENZINSKA STANICA, NAFTA, PUMPA, POSKUPLJENJE, CIJENA, TANK, TANKANJE, 10 KN, INA SNIMIO: VEDRAN KARUZA

Evropa do të bëjë një tjetër hap të madh drejt ndërprerjes së lidhjeve të saj energjetike me Rusinë, duke i ndaluar importet e karburantit dizel dhe të produkteve të tjera nga nafta e papërpunuar ruse.

Ndalesa e BE-së do të hyjë në fuqi më 5 shkurt, pas embargos së saj mbi qymyrin dhe pjesën më të madhe të naftës nga Rusia.

Me këto veprime, blloku prej 27 vendesh po përpiqet ta kufizojë financimin e luftës ruse në Ukrainë, e cila po hyn në vitin e dytë.

Por, ndalesa e re ka edhe rreziqe: çmimet e naftës dizel janë rritur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt të vitit të kaluar dhe ato mund të rriten sërish.

“Ne po i lëmë paratë në rrugë për të ofruar shërbimet tona”, thotë Hans-Dieter Sedelmeier nga kompania gjermane e autobusëve dhe udhëtimeve, Rast Reisen.

Shumica e gjërave që njerëzit blejnë ose hanë, transportohen në një moment të caktuar me kamionë, të cilët funksionojnë kryesisht me naftë dizel. Me këtë naftë funksionojnë edhe pajisjet e fermave, autobusët e qytetit dhe pajisjet industriale.

Kjo varet. Dizeli, si nafta e papërpunuar, shitet globalisht, dhe Evropa mund të kërkojë burime të reja, të tilla si SHBA-ja, India ose vendet në Lindjen e Mesme. Nëse një gjë e tillë realizohet, ndikimi në çmime mund të jetë i përkohshëm dhe modest.

Evropa tashmë ka zvogëluar gati në gjysmë importet e naftës ruse – nga 50% e totalit para luftës, në 27%. Furnizuesit amerikanë i kanë rritur furnizimet në nivele rekorde – nga 34.000 fuçi në ditë në fillim të vitit 2022, në 237.000 fuçi në ditë në janar të këtij viti, tregojnë të dhënat e kompanisë S&P Global.

Komisionarja për Energji e BE-së, Kadri Simson, thotë se tregjet kanë pasur kohë të përshtaten, pasi ndalesa është bërë publike në muajin qershor.

Evropianët, gjithashtu, duket se kanë rezervuar dizelin rus përpara afatit, pasi importet janë rritur muajin e kaluar.

Megjithatë, ekziston një faktor ndërlikues: Grupi i Shtatë demokracive të mëdha është duke biseduar për vendosjen e një çmimi tavan për naftën ruse dizel që shkon në vende të tjera, ashtu siç ka bërë edhe me naftën e papërpunuar ruse.

Ideja është që nafta ruse të rrjedhë në tregjet botërore, por të ardhurat e Moskës të zvogëlohen.

Nëse çmimi tavan funksionon ashtu siç thuhet, rrjedhat globale të naftës duhet të riorganizohen: Evropa të gjejë furnizues të rinj dhe Rusia të gjejë klientë të rinj.

Por, është e vështirë të thuhet se si do të funksionojë çmimi tavan dhe nëse Rusia do të hakmerret duke i ndaluar dërgesat.

“Kur eksportet ruse janë të kufizuara, për çfarëdo arsyeje, kjo sigurisht që shkakton telashe në gjithë këtë proces riorganizimi”, thotë Hedi Grati, udhëheqës i kërkimeve të karburanteve dhe rafinimit për Evropën në S&P Global Commodity Insights.

“Evropa do të konkurronte me importues të tjerë të mëdhenj dhe kjo do të shkaktonte presion në rritje mbi çmimet”, shton ai.

Nëse çmimi tavan nuk bllokon sasi të mëdha të dizelit rus, mund të ketë “një rritje jetëshkurtër” çmimesh, derisa të përshtaten tregjet. Kjo, pasi cisternat do të udhëtonin më gjatë nga SHBA-ja, Lindja e Mesme ose India në Evropë, sesa nga portet ruse në Detin Baltik.

Më vonë këtë vit, në Kuvajt dhe në Arabinë Saudite pritet të nisin kapacitete të reja të rafinimit të naftës, ndërsa në Oman nga viti 2024. Kjo “mund ta lehtësojë presionin nga ky divorc me Rusinë”, thotë Grati.

Çfarë mund të arrihet me çmimin tavan?

Shpresa është të arrihet efekti i çmimit tavan të naftës, i cili i ka ndaluar kompanitë perëndimore që kontrollojnë kryesisht shërbimet e transportit detar, të marrin naftë të papërpunuar ruse me çmim mbi 60 dollarë për fuçi.

Rusia thotë se nuk do t’iu shesë naftë vendeve që respektojnë tavanin e çmimeve, por tavani dhe rënia e kërkesës si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë globale, kanë bërë që klientët në Kinë, Indi dhe gjetkë të mund të blejnë naftë ruse me zbritje të mëdha, duke i ulur kështu të ardhurat e Kremlinit.

I nxitur nga çmimet më të shtrenjta të naftës së papërpunuar, çmimi i dizelit është rritur në më shumë se 1.000 dollarë për ton javën e kaluar, nga 800 dollarë për ton sa ka qenë në fillim të dhjetorit.

Dizeli kushton më shumë se 40 dollarë për fuçi krahasuar me naftën e papërpunuar që përdoret për ta bërë atë.

Çfarë ndodh nëse nafta dizel shtrenjtohet?


Çmimet e karburanteve kanë qenë një ndër faktorët kryesorë që kanë rritur inflacionin në Evropë, duke zvogëluar fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe duke ngadalësuar ekonominë.

Çmimet e naftës në pompa janë luhatur nga 1.66 euro për litër në 2.14 euro për litër përgjatë një viti.

“Kjo është një rritje gjigante”, thotë Christopher Schuldes, familja e të cilit udhëheq kompaninë gjermane të kamionëve, Schuldes Spedition, tash e tri gjenerata.

Kompania ka 27 kamionë me naftë dhe 50 punonjës në qytetin Alsbah-Haehnllajn, i cili gjendet midis Frankfurtit dhe Hajdelbergut në Gjermaninë jugperëndimore.

Ajo i ka ulur kostot e karburanteve, duke i pajisur kamionët me motorë efiçientë dhe duke siguruar që ata nisen të ngarkuar plotësisht.

“Ne e kemi bërë këtë shumë kohë më parë, shumë kohë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën”, thotë Schuldes. “Nuk ka më vend për optimizëm”, shprehet ai.

Për të lehtësuar kostot shtesë të naftës, kompania ka bërë përpjekje të negociojë edhe çmime më të larta me klientët që kanë kontrata afatgjate. Disa kanë rënë dakord, disa jo. Edhe nëse kontrata lejon që çmimet të rriten me kostot e naftës, zbatimi i kësaj rritjeje vonon dy muaj./REL

Exit mobile version