Vetëm për shkak se Pfizer dëshiron të ofrojë doza përforcuese të vaksinave kundër COVID-19, nuk do të thotë që njerëzit do të rreshtohen menjëherë për t’i pranuar ato.
Autoritetet shëndetësore amerikane dhe ndërkombëtare, thonë se tani për tani, të vaksinuarit plotësisht, duken se janë të mbrojtur goxha mirë, raporton Associated Press.
Në nivel global, ekspertët po vëzhgojnë nga afër për të përcaktuar nëse do të kenë dhe kur mund të kenë nevojë njerëzit për një dozë tjetër shtesë. Në të njëjtën kohë, shumë sugjerojnë se për momentin duhet dhënë përparësi vaksinimit, duke vënë në dukje se mutacionet shqetësues të koronavirusit, nuk do të shfaqeshin kaq shpejt, nëse më shumë njerëz në SHBA dhe pjesa të tjera të botës, do të kishin marrë raundin fillestar të dozave.
Jennifer Nuzzo, një specialist i shëndetit publik në Universitetin John Hopkins, tha se “nëse doni të ndaloni së dëgjuari për variantin e javës, ne duhet të bëjmë më shumë për tu siguruar që të gjitha vendet të kenë më shumë qasje në vaksina”.
Këtu janë disa çështje në lidhje me imunitetin dhe përforcuesit e vaksinës.
Çfarë është duke e nxitur gjithë debatin për përforcuesit?
Prej kohësh, zyrtarët shëndetësorë amerikanë, kanë thënë që një ditë, njerëzit mund të kenë nevojë për një përforcues, pasi në fund të fundit, një gjë e tillë bëhet edhe për shumë vaksina të tjera. Kjo është arsyeja përse janë duke u zhvilluar studime për të testuar metoda të ndryshme: thjesht doza të treta, teste të përzierjes dhe çiftëzimit, duke përdorur një markë tjetër për një dozë të tretë, ose nxitës eksperimentalë, të ndryshuar për të përputhur më mirë variante të ndryshme vaksinash.
Por javën e kaluar, Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech, njoftuan se në muajin gusht, ata planifikojnë të kërkojnë autorizim nga Administrimi i Ushqimit dhe Barnave, për një dozë të tretë, sepse mund të rrisë nivelet e antitrupave që luftojnë virusin, mbase duke ndihmuar kështu, largimin e mutacioneve aq shqetësuese.
Kompanitë nuk kanë lëshuar publikisht të dhëna dhe zyrtarët shëndetësorë amerikanë, dhanë një përgjigje të prerë, se nxitësit nuk janë ende të nevojshëm dhe se është qeveria dhe jo prodhuesit e vaksinave, ajo që do të vendosë nëse dhe kur mund të ndryshojë kjo.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha të hënën se nuk ka prova të mjaftueshme për të treguar se nevojiten doza të treta vaksinash. OBSH-ja tha që dozat e pakta të vaksinave duhet të ndahen me vendet e varfra, në vend që të përdoren nga vendet e pasura si nxitës vaksinash.
Cilat janë provat që mbrojtja nga vaksinat mbetet e fortë?
Një analizë e Associated Press muajin e kaluar, zbuloi se pothuajse të gjitha vdekjet nga COVID-19 në SHBA, po ndodhin midis njerëzve të pavaksinuar.
Në javët e fundit, kanë filluar të shtohen infeksionet dhe shtrimet në spital, ndërsa varianti shumë ngjitës Delta, po përhapet. Por, nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thonë se vala e madhe është në drejtim të pjesëve me më pak të vaksinuar, të një vendi që ka shumë doza, por që thjesht njerëzit duhet t’i marrin ato vaksina.
Asnjë vaksinë nuk është e përsosur, që do të thotë se here pas here, do të ketë njerëz të vaksionuar që do të infektohen sërish, por këto raste të ashtuquajtura të përparimit, zakonisht janë të lehta. Zyrtarët që monitorojnë nevojën për nxitës vaksinash, janë duke parë nga afër për çdo rritje serioze të infeksioneve të përparimit.
Deri më tani, lajmi i mire është që njerëzit e parë që kanë marrë vaksinat në dhjetor dhe janar, nuk duket se janë në rrezik më të lartë për infeksione të përparimit, në krahasim me ata që janë vaksionuar kohët e fundit, tha të martën Dr. Jay Butler nga CDC.
A ka të bëjë përforcuesi i vaksinave thjesht me variantet e reja të virusit?
Përgjigja është “Jo”, sepse shkencëtarët gjithashtu po shikojnë për të parë se sa dobësohet imuniteti i përgjithshëm i njerëzve të vaksinuar ndaj koronavirusit. Kjo gjithashtu, mund të kërkojë një dozë përforcuese.
Antitrupat që luftojnë viruset, gradualisht zbehen dhe kjo është normale, pasi që trupi nuk ka nevojë të jetë në gatishmëri të lartë përgjithmonë.
Por antitrupat nuk janë mbrojtja e vetme e trupit. Në kohën që nivelet e tyre bien, trupi ka formuar tashmë kopje rezervë. Ato kopje përfshijnë qelizat B të kujtesës, që herën tjetër kur t’i ekspozohen virusit, “ato shpërthejnë dhe fillojnë të shpërndahen si të çmendura” për të bërë antitrupa të rinj, tha imunologu nga Universitetit të Pensilvanisë Scott Hensley.
Një tjetër kopje rezervë janë qelizat T, të cilat vrasin qelizat e infektuara nga virusi, për të mos lejuar që një rast depërtimi i madh të bëhet i rëndë.
Studimet laboratorike thonë që antitrupat sinjalizues, nuk janë aq të fuqishëm kundër variantit Delta të virusit, sa janë kundër disa versioneve të mëparshme të koronavirusit, por që akoma janë mbrojtës. Specialistët janë të shqetësuar më shumë për përparimin e mutacioneve të ardhshme që mund të shpëtojnë nga vaksinat e tanishme, diçka që mund të parandalohet vetëm duke goditur përhapjen virale kudo.
Çfarë po bëjnë vendet e tjera kundër variantit Delta?
Të dhënat reale nga Anglia, Skocia, Kanadaja dhe Izraeli, tregojnë se vaksinat e përdorura më gjerësisht në vendet perëndimore, vazhdojnë të sigurojnë një mbrojtje të fortë nga virusi. Studiuesit në Britani të Madhe, gjetën dy doza të vaksinës Pfizer si shembull, të cilat janë 96% mbrojtëse kundër shtrimit në spital me variantin Delta dhe 88% efektive kundër infeksionit simptomatik.
Kohët e fundit, Izraeli raportoi të dhëna që sugjerojnë se mbrojtja prej infeksionit të butë Delta, ka rënë më poshtë deri në 64%. Por mbrojtja ndaj sëmundjeve të rënda megjithatë ka mbetur e lartë.
Ka më pak informacione në lidhje me atë se sa e sulmojnë vaksinat e tjera variantin Delta. Tajlanda njoftoi këtë javë se punëtorëve shëndetësorë që kishin marrë dy doza të një vaksine kineze, do t’u jepet një dozë përforcuese e bërë nga AstraZeneca.
A mund të kenë nevojë disa njerëz për përforcues përpara të gjithë popullsisë?
Me sa duket, kjo është e mundur. Izraeli sapo ka filluar shpërndarjen e dozave të treta të vaksinës Pfizer te marrësit e transplantimit dhe pacientët e tjerë me sistem të dobët imunitar. Arsyeja është se njerëzit që marrin barna të caktuara që dobësojnë imunitetin, nuk reagojnë aq fort ndaj çdo vaksine dhe jo vetëm vaksinave kundër COVID-19, sikur njerëzit e shëndetshëm.
Franca tashmë po aplikon një politikë të ngjashme të dozës së tretë për personat me imunitet të dëmtuar. Ndërkaq edhe pse nuk është e autorizuar në SHBA, disa marrës të transplantit, po kërkojnë një dozë të tretë me shpresë për më shumë mbrojtje.
Ende nuk është provuar nëse një dozë e tretë të ndihmon dhe nëse po, kush ka nevojë për një të tillë dhe kur. Studimi i parë i madh i strategjisë për këtë, po fillon në mijëra pacientë në Norvegji.