UBT News

A do të heqë dorë Elon Musk nga kontrolli i Twitterit?

Elon Musk beim Besuch des Bundeskanzlers in der Tesla Gigafactory Berlin-Brandenburg in Grünheide / 220322 *** Chancellor of Germany visits Tesla Gigafactory, Gruenheide, Germany - 22 Mar 2022 ***

Nga Max Zahn

Elon Musk u zotua se do të japë dorëheqje nga posti i shefit ekzekutiv të gjigantit Twitter, por ai do të mbetet një forcë dominuese në kompani, thanë disa ekspertë të menaxhimit për ABC News.

Sipërmarrësi miliarder, i cili bleu Twitterin, tha të martën se ai do të tërhiqet sapo kompania të identifikojë një pasardhës. Vendimi i tij vjen pas një sondazhi në Twitter, në të cilin një shumicë e përdoruesve i kërkuan Musk-ut të mos e udhëheqë më kompaninë.

Megjithatë ai do të mbajë kontrollin mbi departamentet e softuerit dhe serverëve, ekipe të rëndësishme që do t’i japin atij kontroll të rëndësishëm mbi mënyrën se si funksionon platforma.

Autoriteti i tij për shkak të pronësisë së kompanisë, si dhe ngurrimi i Musk-ut për të deleguar detyra kyçe, do të rezultojë në vendime të diktuara kryesisht nga preferencat e tij, thanë ekspertët.

Kompania, së cilës i mungon një bord drejtorësh, ka gjasa të punësojë një pasardhës të zgjedhur vetë me pikëpamje që i përputhen ngushtë me ato të Musk dhe një profil publik që është jashtëzakonisht i vogël në krahasim me të.

“Elon Musk do të thotë se: “Janë paratë e mia në lojë, është reputacioni im në lojë – unë duhet të jem pjesë e çdo vendimi”, Peter Harms, profesor i menaxhimit në Universitetin e Alabama, i cili ka studiuar udhëheqjen e korporatës, tha për ABC News.

Sipas tij, deri më tani Musk nuk ka treguar vullnet me bizneset e tij për të deleguar autoritetin.

Qëkur e bleu Twitterin, Musk ka bërë ndryshime dramatike. Ai shkarkoi drejtuesit kryesorë dhe përgjysmoi fuqinë punëtore të kompanisë prej 7 mijë e 500 personash. Ai riktheu disa llogari që ishin pezulluar më parë, siç është rasti me ish-presidentin amerikan, Donald Trump. Ai bëri edhe disa ndryshime sa i përket abonimit në Twitter, me opsionin Twitter Blue, që u mundëson përdoruesve të verifikojnë llogaritë përmes pagesës së një tarife mujore prej tetë dollarësh. Ky vendim u pezullua, pasi bashkë me të lindën edhe llogari të rreme që imitonin figurat publike dhe markat e njohura. Më pas u rikthye ky opsion.

Vendimet e tilla Musk i arsyetoi dhe tha se këto po bëhen me qëllim për ta shpëtuar Twitterin nga rreziku financiar. Muajin e kaluar ai tha se kompania po humb 4 milionë dollarë në ditë.

Së fundmi, Musk postoi një sondazh në platformë duke pyetur përdoruesit nëse ai duhet të japë dorëheqje. Sondazhi përfundoi mëngjesin e të hënës, ku 57.5% të votuesve thanë se ai duhet të largohet nga ky post dhe 42.5% thanë se nuk duhet. Pas një dite heshtjeje për rezultatet, Musk njoftoi se përfundimisht do të tërhiqet. Megjithatë, duke mbajtur kontrollin e ekipeve kryesore të produkteve, Musk do të jetë shumë i përfshirë në mbikëqyrjen e kompanisë, thanë ekspertët.

Sipas Sandra Sucher, profesoreshë e menaxhimit në Shkollën e Biznesit të Harvardit, ky hap i tij është i pasinqertë. Ajo tha se ai do të mbajë kontrollin operacional mbi një pjesë të madhe të biznesit.

“Nuk ka dyshim se ai do të mbetet kreu de facto”, shtoi ajo. “Përsa i përket shqetësimeve rreth vendimmarrjes dhe mënyrës sesi ai po e formëson biznesin për të reflektuar pikëpamjet e tij personale, është e paqartë se çfarë do të bëjë ky ndryshim”, deklaroi ajo tutje.

Miliarderi Musk, i cili drejton kompaninë e automjeteve elektrike Tesla, është përballur me presion në rritje për të kthyer fokusin e tij te prodhuesi i automjeteve. Aksionet e kompanisë kanë rënë 60% këtë vit, pasi kompania po përballet me konkurrencë të shtuar dhe sfida të prodhimit që u shkaktuan nga pandemia.

Dorëheqja e Musk “është bërë një domosdoshmëri për shkak të hemorragjisë në Tesla”, tha për ABC News, Jeffrey Sonnenfeld, një profesor i menaxhimit në Universitetin Yale.

Pavarësisht nevojës për një dorë të qëndrueshme në Tesla, Musk do ta ketë të vështirë të shkëputet nga operacionet e përditshme në Twitter, tha Harms, nga Universiteti i Alabama-s.

Dinamika aktuale në krye të Twitter – një lider vizionar që ka nevojë për një partner të orientuar nga logjistika – është shfaqur në industri në shumë raste, tha Harms, duke iu atribuar ish-CEO-s së Apple, Steve Jobs dhe shefit ekzekutiv, Tim Cook.

“Elon Musk ka nevojë për Tim Cook-un e tij”, tha Harms./UBTNews/

Exit mobile version