Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është sqaruar rreth propozimeve të dërguara nga ministritë e kabinetit të tij qeveritar dhe të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për tarifat e reja në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Pas mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se këto propozime kanë trajtuar dimensionet e ndryshme, që sipas tij kanë qëllimin e njëjtë e të përbashkët për pragun e bllok tarifave sa më të favorshëm për qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Megjithatë, ai tha se këto komente kanë dallime, por nuk janë kundërthënëse.
“Është e vërtet se kemi pasur edhe komentet e ministrisë së Ekonomisë, edhe të Ministrisë së Financave, si dhe të Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Këto komente kanë dallime, por nuk janë kundërthënëse. Andaj, unë jam i bindur që do t’i kontribuojnë të menduarit të ZRRE-së para vendimit të tyre. Ka përfunduar afati dje, tash neve na duhet të presim se çfarë do të thotë ZRRE-ja dhe sigurisht që do të mblidhemi edhe ne si qeveri që të shohim se si reflektohet kjo konkretisht për javët, muajt në vijim[…]Besoj që në këto momente kur e gjithë ZRRE-ja është duke i trajtuar komentet duke vlerësuar drejtësinë, duke parashikuar pasojat, duhet ta presim vendimin e tyre, por mund të themi që jam i gëzuar që i kemi dhënë mjaftueshëm material për të menduar sa më mirë e sa më dobishëm”, theksoi Kurti.
Kryeministri sërish theksoi se nuk ka rrugëdalje tjetër përveç shtrenjtimit të rrymës.
“Mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm që mos të ketë reduktime të energjisë elektrike, duhet të ketë ose subvencionim nga shteti siç kemi bërë deri më tash për shkak të importit të shtrenjtë të energjisë elektrike, ose shtrenjtim të energjisë elektrike, ose kombinim i të dyja këtyre. Subvencionimi i plotë nga shteti është barrë shumë e madhe, mirëpo edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike duke shndërruar shtetin spektator gjithashtu nuk është zgjidhje. Sa më shumë komente që dërgohen në ZRrE, besoj që do t’i kontribuojnë vendimit përfundimtar të tyre”, tha ai.
Në këtë konferencë për media, Kurti ka hequr të gjitha dilemat se nga subvencionimi i importit të energjisë elektrike nga shteti mund të përfitojnë kompanitë private në Kosovë, në këtë rast KESCO.
“KEK e ka të pashmangshëm bashkëpunimin me KESCO, por si do që të jetë edhe kur importon drejtpërdrejt KEK-u ose kur importon Kosova nëpërmjet KEK-ut që këtë e bën nëpërmjet KESCO-s, unë mund t’iu siguroj që nuk bëhet fjalë për përfitime private, meqenëse e gjithë kostoja e shtuar e importit të energjisë elektrike nuk lejojmë të kthehet në përfitim të askujt. Pra, kur humbet publiku nuk do të mund të fitojë privati tek ne. Pra, përfituesit e mëdhenj të kësaj krize energjetike janë tregtarët e energjisë në bursat ndërkombëtare energjetike”, theksoi ai.
Në mbledhje e sotme të qeverisë, janë emëruar anëtarët e bordit të Trepçës dhe KEK-ut.