Sot shënohen 93 vjet nga lindja e Nexhmije Pagarushës, një prej figurave më të mëdha të muzikës shqiptare dhe një emër i pazëvendësueshëm i kulturës kombëtare.
E lindur më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë, ajo u dallua që në moshë të re për zërin e saj unik dhe talentin interpretues, që më vonë do ta shndërronin në një ikonë të muzikës shqiptare. Gjatë një karriere mbi pesë dekada, Pagarusha la gjurmë të thella në muzikën popullore, atë qytetare dhe në interpretimin artistik me elemente operistike.
Një nga interpretimet e saj më të njohura mbetet kënga “Baresha”, me tekst të Rifat Kukajt, e cila konsiderohet një ndër kryeveprat e muzikës shqipe.
Përveç muzikës, ajo u angazhua edhe në aktrim, duke luajtur në filma si “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin” dhe “Fluturimi i Micakut”, duke treguar një prani të gjithanshme në art.
Në vitin 1984 u tërhoq nga skena muzikore, ndërsa në vitin 2012 u nderua me titullin “Nderi i Kombit” për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në kulturë.
Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë më 7 shkurt 2020, në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike që vazhdon të frymëzojë breza të tërë.
