UBT News

85 vjet nga vendosja e statujës së Skënderbeut në Romë

Më 27 tetor 1940, Benito Musolini inauguronte në Romë Monumentin e Skënderbeut, në prani të autoriteteve më të larta të qytetit.

Monumenti u vendos në atë që dikur njihej si sheshi “Raudusculana”, emër i një porte antike të mureve Serviane. Më 4 korrik 1940, për të përkujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria Italiane më 16 prill 1939, sheshi ndryshoi emër dhe u quajt “Albania”, emër që mban edhe sot me formën origjinale “Piazza Albania”.

Monumenti i Skënderbeut u realizua nga skulptori fiorentin Romano Romanelli në vitin 1938. Romanelli, i njohur si oficer, piktor dhe skulptor, krijoi veprën në bronz të rëndë 35 kuintalë. Monumenti paraqet heroin kombëtar mbi kalin e tij, i veshur me armaturë hekuri, me përkrenaren dhe shpatën gati për luftë.

Fillimisht, Monumenti i Heroit Kombëtar ishte menduar të vendosej në Tiranë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, por përfundoi në “Sheshin Albania” në Romë.

Mbishkrimi në piedestalin e tij u vendos në vitin 1968, me nismën e komunitetit Arbëresh, për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version