Më 3 dhjetor të vitit 1941, u krijua qeveria shqiptare me kryeministër dhe ministër të Punëve të Brendshme Mustafa Krujën me qeverisjen e tij deri më 4 janar të vitit 1943.
Në përbërje të kabinetit ishin, Jup Kazazi-Ministër i Partisë Fashiste Shqiptare, Hasan Dosti-Ministër i Drejtësisë, Shuk Gurakuqi-Ministër i Financave, Iljaz Agushi-Ministër i Punëve Botore, Dhimitër Berati-Ministër i Kulturës Popullore, Fuat Dibra-Ministër i Ekonomisë kombëtare dhe Dr. Tahir Shtylla-Ministër i tokave të çliruara.
Qeveria e Mustafa Krujës me ndihmesën e dhënë nga Musolini u përpoq për t’i dhënë shqiptarëve një reagim më liberal dhe më autonom.
Kështu shqiptarëve ju kthye flamuri i mëparshëm, duke ju hequr atij kurorën e Savojës dhe Fashiot e liktorit; u liruan nga internimi e burgu një numër i madh antifashistësh; u shpall amnisti për çetat që vepronin kundër italianëve, u ripërtëri xhandarmëria shqiptare, u vendosën lidhje me disa nga udhëheqësit e çetave, shumë prej të cilëve ai kishte patur marrëdhënie me ta që në vitet e para të veprimtarisë antizogiste.
Mundi t’i bëjë për vete të paktën përkohësisht disa nga udhëheqësit e çetave, përfshi këtu dhe Myslim Pezën, i cili pranoi një amnisti të plotë dhe të drejtën për të lëvizur lirisht. Megjithatë Myslim Peza nuk pranoi të vijë në Tiranë për të marrë ndihmën e premtuar në të holla, për shkak të mosbesimit që kishte ndaj autoriteteve italianë.
Këto suksese të qeverisë së Krujës qenë të përkohshme, shumë prej premtimeve të tija mbetën në mes të rrugës, kështu shumë antifashistë që u liruan nga internimet në Itali u bashkuan me grupet e rezistencës, dolën në mal, gjendja në vend u keqësua më tej etj. Po megjithatë deri në fund të vitit 1941 në Shqipëri nuk qe zhvilluar një lëvizje me të vërtetë mbarëkombëtare dhe kjo nisi të zhvillohej më në fund nga përpjekjet e lëvizjes komuniste e përafërt me lëvizjen e qëndresës kombëtare./S.K/KP/
