Dokumentari “Koha për t’u kthyer në shtëpi” me regji dhe skenar të gazetares së Report TV, Admirina Peçi, u shfaq premierë në Tiranë për të shënuar 80-vjetorin e gjenocidit grek mbi popullin çam. Filmi u prezantua në kinema Millenium përpara një audience të mbushur plot, duke kulmuar ditët përkujtimore të kësaj tragjedie historike.
Producenti i dokumentarit, Alket Veliu, theksoi rëndësinë e tij duke thënë se është një përpjekje për të sjellë në dritë historinë dhe sfidat e popullit çam gjatë këtyre 80 viteve. Dokumentari është një produksion i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, me muzikën e përpunuar nga kompozitori Endri Sina.
Ky film ndriçon anët e errëta të gjenocidit dhe përfshin dëshmi të dorës së parë nga të mbijetuarit e masakrave. Dëshmitë përfshijnë detaje rrëqethëse për ngjarjet, duke ofruar emra, orë dhe vende të specifikuara, dhe duke ekspozuar prapaskenat politike dhe diplomatike që çuan në spastrimin e plotë të Çamërisë nga popullsia autoktone shqiptare.
Gazetarja Admirina Peçi theksoi se çështja çame ka qenë një nga çështjet më të nxehta të historisë dhe diplomacisë shqiptare, e trajtuar në dokumentar në të gjithë kompleksitetin e saj, përfshirë aspektet historike, diplomatike dhe faktet nga arkivat. Dokumentari synon të japë mesazhin se heshtja për këtë çështje duhet të marrë fund dhe të gjendet një zgjidhje për çështjen çame./UBTNews/