Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, më 26 gusht 2026.
Sipas njoftimit zyrtar nga organet e ndjekjes, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës. Bazuar në të dhënat e para të hetimit, i dyshuari me inicialet B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet e Policisë së Kosovës, krim-teknika si dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.
Hetimet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë me intensitet të lartë për të zbardhur të plota rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.
80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet për vrasje të rëndë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Prizren, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Për rastin dyshohet bashkëshorti i saj, rreth 81-vjeç.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për KosovaPress se rreth orës 01:30 Policia ka pranuar informatën për një grua të gjetur pa shenja jete në një shtëpi banimi.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas Policisë, lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor. Ndërkohë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se, sipas evidencave të saj, çifti nuk kishte pasur raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje. Në momentin e incidentit, ata dyshohet se kanë qenë vetëm në shtëpi.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë. /Kosova Press/
