UBT News

700 mijë euro të paqarta, Sigal Prishtina: Nuk dorëzohemi

Screenshot

Klubi KB Sigal Prishtina, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku drejtuesit aktualë kanë folur për gjendjen financiare dhe sfidat me të cilat po përballet klubi.

Drejtori i Përgjithshëm, Luan Maloku, deklaroi se pas marrjes së detyrës kanë hasur në një situatë të rëndë financiare, duke theksuar se rreth 700 mijë euro të derdhura në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar nuk figurojnë në llogaritë e klubit në fillim të janarit.

“Llogaritë i kemi marrë 0-0. Pagat e lojtarëve dhe stafit kanë qenë të papaguara. Edhe pasi janë derdhur rreth 700 mijë euro, ne sërish nuk kemi qenë të paguar. Ekziston edhe një overdraft prej 50 mijë eurosh minus, si dhe obligime ndaj autobusëve, aviokompanive dhe procese të tjera përmbarimore. Megjithatë, kjo nuk na ndal të ecim përpara”, theksoi Maloku.

Ai shtoi se klubi ka edhe obligime ndaj ATK-së, Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Ligës, si dhe dy raste në BAT, për të cilat tha se janë në proces negociimi. Sipas tij, situata është e menaxhueshme dhe nuk rrezikon ekzistencën e klubit.

Maloku bëri thirrje publike për mbështetje më të madhe nga Komuna e Prishtinës dhe sponsorët potencialë, duke theksuar se klubi ka nevojë për përkrahje institucionale dhe financiare për sezonin e ardhshëm.

“Ne si Prishtina do të mbijetojmë sepse kemi sponsorë dhe kemi njerëz që nuk e lejojnë këtë klub të bie. Klubi kurrë më i bashkuar nuk ka qenë se tani. Dera është e hapur për këdo që dëshiron të ndihmojë, dhe do të ketë transparencë të plotë”, u shpreh ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Drejtori Sportiv, Edmond Azemi, i cili theksoi se klubi nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë të punojë me korrektësi dhe transparencë.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi. Do të punojmë fort dhe do të jemi të hapur me mediat dhe qytetarët. Klubi i Prishtinës e meriton të jetë në vendin e parë”, deklaroi Azemi.

Edhe kapiteni Arbër Sinani siguroi tifozët se skuadra do të vazhdojë të japë maksimumin në parket, pavarësisht vështirësive financiare.

“Garantojmë se nuk do të dorëzohemi”, tha Sinani, duke kërkuar mbështetjen e tifozëve në këtë periudhë sfiduese për klubin bardhekaltër.

Pavarësisht krizës momentale, drejtuesit e Sigal Prishtinës u shprehën të bindur se klubi do ta tejkalojë këtë fazë dhe do të vazhdojë rrugëtimin e tij në basketbollin kosovar.

 

Exit mobile version