UBT News

7 Marsi – Dita e Mësuesit dhe historia e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë

Çdo vit më 7 mars, shqiptarët shënojnë Ditën e Mësuesit, një datë që lidhet me hapjen e shkollës së parë kombëtare në gjuhën shqipe, të njohur si Mësonjëtorja e Korçës.
Kjo shkollë u hap më 7 mars të vitit 1887 në qytetin e Korçës nën drejtimin e Pandeli Sotirit, në kohën e fundit të Perandorisë Osmane. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik (jo fetar), ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.
Hapja e Mësonjëtores erdhi si rezultat i përpjekjeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila synonte zhvillimin e arsimit dhe afirmimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Në një periudhë kur përdorimi dhe mësimi i gjuhës shqipe ishte i kufizuar, kjo shkollë u bë një qendër e rëndësishme për edukimin kulturor dhe patriotik.
Mësonjëtorja e Korçës pati një rol të veçantë në përhapjen e dijes dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar. Përmes saj u hodhën themelet e arsimit shqip dhe u frymëzuan breza të tërë nxënësish.
Sot, ndërtesa ku dikur zhvillohej mësimi shërben si muze dhe mbetet një simbol i rëndësishëm i historisë së arsimit shqiptar. Çdo 7 mars, kjo datë kujton sakrificën dhe kontributin e mësuesve në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Dita e Mësuesit është festë kombëtare, nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar te populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha për zhvillimin e arsimit kombëtar.

Exit mobile version