Ministri i në detyrë i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZhR), Besian Mustafa ka nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi dhe rehabilitimi i sistemeve të ujitjes në Kosovë”, me kryetarët e komunave të Pejës, Vushtrrisë dhe Vitisë.
Mustafa ka thënë se ky projekt kap vlerën 600 milionë euro dhe do të implementohet në 12 vjetët e ardhshme. Ndërkaq ka bërë të ditur se javën e ardhshme do fillojë bashkëpunimi edhe me komunat e tjera në vend.
“Kjo është marrëveshja e parë për të vënë në funksion master-planin e ujitjes së tokave bujqësore, ku parashihet të investohen 600 milionë euro në 12 vitet e ardhshme”, ka deklaruar ai.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka falënderuar ministrin në detyrë dhe kryeministrin Avdullah Hoti që po i shtrinë dorën bujqve në këtë kohë pandemie.
Edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka falënderuar Mustafën për punën e bërë.
“Mbetet me përgëzua ministrin Mustafa për inicativë që e ka marr”, shtoi ai,
Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa zhvillimin e bujqësisë.