Pasi një fushatë e suksesshme vaksinimi i bëri shumë prej 6,000 ishujve grek, të njiheshin si ishujt e parë pa-COVID, përhapja e variantit Delta e ka ndryshuar paksa peizazhin e këtij sezoni turistik.
Greqia u hap zyrtarisht për turistët në pranverë 2021, duke shpresuar se kjo do të ndihmonte rimëkëmbjen ekonomike nga humbjet e mëdha që sollën masat shtrënguese gjatë pandemisë. Parajsa mesdhetare tërheq turma turistësh diell-dashës çdo sezon veror. Më saktë, më tepër se 34 milionë turistë e vizituan Greqi në 2019-ën, (më shumë se 3 herë sa popullsia e këtij shteti), por në 2020-ën, ky numër ra me 78%.
Në fund të 2020, qeveria greke nisi një fushatë ambicioze për të vaksinuar çdo banues në ishujt me më pak se 1,000 banorë. Kjo nismë u quajt ‘Eleftheria’ ose Liria. Në disa raste suksesi ishte i përkohshëm, ndërsa ishuj të tjerë mbeten pa-COVID ende sot e kësaj dite.
Qeveria greke ka krijuar edhe një hartë interaktive, ku turistët dhe vendasit mund të shohin normat e infeksioneve me COVID në të gjithë vendin. Ndërkohë që pika të famshme turistike si Rodosi apo Mikonos po kalojnë një kohë të vështirë me infektimet, ishujt që njihen më pak mund të jenë zgjidhje më e mirë për disa pushime relaksuese.
Kjo është lista e përgatitur nga Euronews e 6 ishujve grek që duhet detyrimisht t’ia shtoni listës suaj këtë vit.
6 – Kastelorizo
Kastelorizo, i njohur zyrtarisht si Megisti, ishte ishulli i parë në Greqi që u vaksinua plotësisht. Në fakt, të gjithë banorët e këtij ishulli të vogël janë vaksinuar që nga fundi i Janarit. Ndërkohë që më shumë se 90% e vendasve janë të punësuar në industrinë e turizmit, ky ishull pa dyshim ja vlen t’i shtohet listës së vendeve që duhen parë në 2021-in.
5 – Karpathos
I ndodhur në mes dy gjigandëve turistik si Kreta dhe Rodosi, ky thesar i Detit Egje jugor shpesh kalon pa u parë, por kushdo që e bën këtë është duke humbur një mundësi të artë.
Banorët e Karpathos-it janë të përkushtuar ndaj mbajtjes gjallë të traditave të paraardhësve të tyre dhe kjo mund të shihet sidomos në ushqimin, muzikën dhe vallet e tyre. Një atraksion që nuk duhet humbur janë rrënojat e akropolit antik në kryeqytetin Pigadia.
4. Thymena
Me emrin e bazuar tek bima e ‘trumzës’ që lulëzon në kodrat përreth, Thimena është ishulli i dytë më i madh në arkipelagun Fourni. Me një popullsi jo të dendur, një pikë që nuk duhet humbur në këtë ishull është manastiri në majë të njërës prej kodrave. Thymena mund të arrihet me anë të një udhëtimi të shkurtër me traget dhe pjesa më e madhe e vizitorëve preferojnë të vijnë për disa orë në vend që të kalojnë natën.
3 – Astypalaia
I njohur si ‘Flutura e Egjeut’, ky ishull ofron pamje, kuzhinë dhe histori plot shpirt.
Qyteti kryesor Hora gjendet nën hijen e një kështjelle të shekullit të 13-të mbi kodër, dhe pemët e portokallit dhe vreshtat e rrushit e rrethojnë të gjithë pjesën tjetër të ishullit. Plazhet në Astypalaia-s janë të thjeshtë, pa shumë urbanizim dhe lagen nga ujëra të kaltër e të tejdukshëm. Ngjitja në mal është një aktivitet popullor në këtë ishull, së bashku me banjat e famshme që nuk duhen humbur.
2. Meganisi
Meganisi nuk është një destinacion turistik po aq i famshëm sa të tjerë ishuj grek. Kjo e bën atë vendin perfekt për dikë që kërkon një eksperiencë në ishujt e Greqisë pa qenë nevoja të gjendet mes turmave të turistëve.
Mbase një mënyrë tjetër për ta përjetuar Meganisin është me anë të një udhëtimi një-ditor pasi ai ndodhet vetëm 30 minuta larg me traget nga ishulli tjetër më i njohur i Nydri-t.
Diçka që e bën këtë ishull të dallojë janë plazhet me gurë dhe shkëmbinj dhe fakti që të gjithë banorët janë të vaksinuar e bën këtë vend edhe më tërheqës për vizitorët.
1. Anafi
Diku larg (goxha larg) zhurmës dhe qytetit është ishulli jo tepër i njohur i Anafi-t. Anafi nuk ka një sektor turistik mjaft të zhvilluar dhe kjo e bën atë perfekt për këdo që kërkon një përvojë autentike larg infrastrukturës dhe investimeve urbane.
Të vetmet dyqane në Anafi janë mini-marketet në një qytezë me emrin Chora dhe ecjet janë një aktivitet goxha popullor mes vizitorëve pasi automjetet janë të pakta në numër në këtë ishull.
Një nga atraksionet e Anafi-t është kamping falas dhe sigurisht plazhet magjepsës./euronews.al