UBT News

57 kg kanabis në makinë, arrestohen dy persona në Vlorë

Dy persona janë arrestuar në Vlorë pasi u kapën me 57 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, sipas njoftimi të Policisë se Shtetit.

Operacioni i koduar “Brotherhood”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, çoi në prangosjen e F. M., 41 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, dhe L. L., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë. Ata akuzohen për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.

Sipas policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, uniformat blu ndaluan dhe kontrolluan një automjet tip “Volkswagen Touran”, me të cilin po udhëtonin të dyshuarit. Gjatë kontrollit u gjet një sasi kanabisi e përgatitur për shitje.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesë u zbulua dhe u sekuestrua një tjetër sasi kanabisi, duke e çuar në rreth 57 kg totalin e lëndës së dyshuar narkotike. Po ashtu, në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjet një armë zjarri automatike model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Exit mobile version