557 vjet më parë, më 17 janar të vitit 1468, u nda nga jeta Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një figurë që mbetet simbol i luftës për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar. Lindi rreth vitit 1405, Skënderbeu u shqua si një strateg dhe burrë shteti, udhëhoqi betejat kundër pushtimit osman dhe kontribuoi në bashkimin politik të principatave shqiptare. Ai u bë figura udhëheqëse e një periudhe vendimtare të historisë kombëtare, që shënonte një betejë të gjatë, por të qëndrueshme kundër pushtimit të Perandorisë Osmane.
Skënderbeu bëri një kthesë historike në vitin 1443, kur çliroi Krujën dhe ngriti flamurin e Kastriotëve, duke e konsideruar këtë akt si një hap të rëndësishëm drejt bashkimit kombëtar. Kjo ngjarje u pasua më 2 mars 1444, me Kuvendin e Parë Kombëtar në Katedralen e Shënkollit në Lezhë, ku ai theksoi domosdoshmërinë e bashkimit të forcave shqiptare dhe krijoi një strategji për mobilizimin e gjithanshëm të popullit. Ky Kuvend ishte pikënisje për një kryengritje të madhe, që shpërtheu në disa rajone të Shqipërisë dhe çliroi principata të shumta.
Nën udhëheqjen e Skënderbeut, forcat shqiptare arritën fitore të rëndësishme kundër ushtrive osmane në betejat e zhvilluara në Pollog, Dibër, Ohër, Shkumbin dhe shumë zona të tjera. Lufta e shqiptarëve vazhdoi për më shumë se 25 vjet, me një qëndresë të paprecedentë, që përbënte një sfidë të rëndësishme për Perandorinë Osmane.
Megjithatë, pas shumë vitesh luftë, heroizmi dhe vizioni strategjik i Gjergj Kastriotit u shua me vdekjen e tij në Lezhë. Pas vdekjes, figura e tij mori një rëndësi të veçantë dhe u bë një burim frymëzimi për pasardhësit, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Lufta e tij për liri vazhdoi të mbetej një model që do të frymëzonte shqiptarët gjatë gjithë shekujve në rrugëtimin e tyre për pavarësi dhe identitet kombëtar.
Edhe 557 vjet pas vdekjes së tij, Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbetet një ndër figurat më të shquara të historisë shqiptare, një hero që përjetësoi emrin dhe lavdinë e Shqipërisë në betejat më të mëdha për liri./UBTNews/