Më 10 nëntor 1970, Muri i Madh Kinez u hap për herë të parë për turistët, duke shënuar një moment historik në promovimin e trashëgimisë kulturore të Kinës.
Sot, ai mbetet një nga monumentet më të njohura dhe më të respektuara në botë, simbol i fuqisë dhe qëndrueshmërisë së kombit kinez.
Historia e Murit të Madh është po aq e gjatë sa qytetërimi kinez. Fortifikimet e para datojnë që nga periudha e pranverës (771–476 p.e.s.) dhe periudha e shteteve ndërluftuese (475 p.e.s.), kur mbretëritë ndërtuan mure mbrojtëse për të parandaluar sulmet nga veriu.
Në shekullin III p.e.s., perandori i parë i Kinës, Qin Shi Huang, bashkoi këto segmente në një vijë mbrojtëse, e cila synonte të mbronte dinastinë Qin (221–206 p.e.s.) nga inkursionet e nomadëve euroaziatikë.
Ndërtimi u realizua me punë të detyruar dhe muri shtrihej nga Gansu deri në bregdetin jugor të Mançurisë. Në shekujt pasues, dinastitë Han, Qi, Sui dhe Ming vazhduan ndërtimin dhe forcimin e murit, shpesh duke e zgjeruar drejt perëndimit.
Vetëm gjatë Dinastisë Sui (589–618), mbi një milion punëtorë u mobilizuan për këtë projekt gjigant.
Pavarësisht madhështisë së tij, muri nuk i ka ndalur pushtimet. Më 1644, ushtria mançure kapi portën e Shanhait e rrëzoi Dinastinë Ming, duke themeluar Dinastinë Qing, e cila sundoi Kinën deri në fillim të shekullit XX.
Pjesa më e madhe e murit që shihet sot i përket periudhës Ming (1369–1644). Ky segment është ndërtuar me gurë dhe tulla, shpesh mbi terrene të thepisura malore, dhe përbën sot atraksionin turistik më të vizituar të Kinës.
Megjithatë, jo të gjitha pjesët e murit kanë mbijetuar. Disa janë dëmtuar nga erozioni natyror, të tjera janë shkatërruar për materiale ndërtimi ose gjatë periudhave ideologjike.
Sidoqoftë, Muri i Madh Kinez mbetet një nga shtatë mrekullitë e botës moderne dhe një dëshmi monumentale e historisë njerëzore. /A.Z/UBT News/
