Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë verdiktin dënues për pesë persona të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Trupi gjykues e dënoi të akuzuarin B.Rr. me 12 vite burgim, kurse katër të akuzuarit e tjerë, D.Rr., F.S., M.S. dhe M.R., morën nga 10 vite burgim secili. Koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet të gjithëve si pjesë e dënimit final.
Përveç dënimit me burg, të dënuarit janë të detyruar të paguajnë nga 500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor dhe nga 50 euro shtesë për Fondin e Kompensimit të Viktimave.
Sa i përket dëmshpërblimit, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta kërkojë përmes një kontesti të rregullt civil. Ky vendim nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.
Ky proces gjyqësor rrodhi nga aktakuza e ngritur në fund të vitit 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht shënjestroi tetë persona për ngjarjen e qershorit të po atij viti. Në këtë grup, B.Rr. u ngarkua me veprën penale të dhunimit, ndërsa mbi të pandehurin D.Rr. rëndojnë akuzat për dhunim si dhe për trafikim me njerëz.
