UBT News

5-vjetori i pranimit në UEFA, Ademi: Kemi bërë progres të madh në të gjitha aspektet

Sot janë bërë pesë vite që kur Kosova u pranua me të drejta të plota në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian, UEFA.

Vendimi i madh për Kosovën ishte marr në Kongresin e Budapestit më 3 maj 2016, duke u thyer kështu izolimi i futbollit kosovar pas shumë përpjekjeve e angazhimeve nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë akterëve të tjerë nga fusha e sportit.

Me këtë rast, në këtë datë të rëndësishme për futbollin vendor, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, iu është drejtuar me një letër urimi të gjitha klubeve, zyrtarëve të futbollit, lojtarëve, dhe anëtarëve të FFK-së duke i uruar për të gjitha arritjet e deritanishme me angazhimin e tyre të madh.

Ademi ka thënë se ky 5-vjetor e gjen Kosovën me më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare dhe kjo sipas tij është bërë duke iu falënderuar punës së madhe të ish-presidentëve të FFK-së, duke filluar nga Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe legjenda Fadil Vokrri.

Më tutje Ademi ka theksuar se gjatë këtyre viteve Kosova ka arritur progres të madh dhe ka fituar respektin dhe simpatinë e UEFA-së si dhe të federatave simotra.

Anëtarësimi në UEFA sipas Ademit, e ka ndihmuar shumë Kosovën në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe se kjo do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Krejt në fund, Ademi thotë se shpreson që sa më shpejtë të krijohen kushtet që tifozët dardanë të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumit sepse, sipas tij, përveç kreativitetit që krijojnë, ata janë tashmë një imazh shumë i mirë në futbollin botëror.

Exit mobile version