UBT News

5 milionë euro për gratë ndërmarrëse dhe zhvillimin e zonave rurale në Kosovë

Agjencia Franceze për Zhvillim, përmes Proparco, ka nënshkruar një marrëveshje financimi me Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK) në vlerë prej 5 milionë eurosh, me qëllim fuqizimin e grave dhe komuniteteve rurale.

Nga kjo shumë, 3 milionë euro janë të destinuara për gratë ndërmarrëse, ndërsa 2 milionë euro të tjera për projektet në zonat rurale.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, vlerësoi se këto kredi do të ndihmojnë në rritjen e përfshirjes së grave në biznes dhe zhvillimin e sipërmarrësve në komunitetet rurale. Ai shtoi se sa më shumë gra të jenë të përfshira në biznes dhe sektorin publik, aq më e fortë bëhet Kosova.

Drejtori ekzekutiv i AFK-së, Xhevdet Spahija, theksoi se bashkëpunimi me Proparco do të fokusohet kryesisht në kreditimin e grave ndërmarrëse dhe grave në bujqësi. Ai gjithashtu kujtoi se që nga viti 1999, AFK ka shpërndarë rreth 500 milionë euro përmes afro 165 mijë kredive.

Drejtori Regjional për Euroazi në Proparco, Steve Gardon, u shpreh se partneriteti synon të bëjë zhvillimin ekonomik në Kosovë më gjithëpërfshirës, duke fokusuar mbështetjen tek gratë sipërmarrëse dhe bizneset në zonat rurale, ku qasja në financa është më e kufizuar.

/Kosovapress/

Exit mobile version