UBT News

Konjufca në OKB: Si flet Gjuriq për BE kur del në foto me kriminelin Radoiçiq

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka dhënë një përgjigje të ashpër ndaj ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke ia përplasur në fytyrë lidhjet me strukturat kriminale, luftën hibride dhe të kaluarën e errët të regjimit serb.

Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka vënë në pikëpyetje sinqeritetin e pretendimeve të Serbisë për integrim evropian, duke pyetur se për çfarë të ardhme bën fjalë Gjuriqi kur shfaqet publikisht në fotografi me Milan Radoiçiqin — personin e kërkuar nga Interpoli dhe organizatorin kryesor të sulmit terrorist në Banjskë. Ai theksoi se është absurde që një zyrtar i një vendi që synon BE-në të shoqërohet hapur me kriminelë të tillë.

Përplasja mes palëve u tensionua edhe më shumë kur Gjuriq ngriti akuza për gjoja incidente fetare në Kosovë. Konjufca i ka hodhur poshtë këto pretendime, duke kujtuar se Kosova është vend multietnik dhe shembull i harmonisë fetare. Si argument të qartë kundër narrativës serbe, ai përmendi zgjedhjen e fundit të një presidenteje nga komuniteti katolik, Justina Shiroka-Pula.

Duke vijuar replikën, Konjufca ia kujtoi homologut serb se propaganda e Beogradit për gjoja rrezikim të të krishterëve është e rreme, ndërkohë që vetë Serbia i ka shfrytëzuar kishat për ndarje e fabrikim incidentesh që nga vitet ’90 e deri më sot. Ai përmendi Masakrën e Mejës — të cilën e quajti “Srebrenica e Kosovës” — ku u vranë 377 civilë, një pjesë e madhe e të cilëve ishin shqiptarë të besimit katolik të ekzekutuar nga forcat serbe.

Mbledhja e OKB-së u mbyll mes kundërpërgjigjeve të forta, pasi Konjufca akuzoi hapur Serbinë për mohim të drejtësisë, duke i kujtuar se Beogradial vazhdon të hesht dhe të mohojë 12 mijë civilë të pafajshëm të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Exit mobile version