Shfaqja teatrore, një bashkëprodhim artistik Shqipëri–Kosovë, vjen më 7 shtator në Teatrin Dodona, ndërsa më 12 shtator prezantohet në Londër.
Shfaqja teatrore “Jetimët”, një produksion i realizuar përmes bashkëpunimit artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ngjitet në skenën e Teatrit Dodona në Prishtinë, më 7 shtator 2026, ndërsa pesë ditë më vonë, më 12 shtator, do të prezantohet para publikut në Londër, në King Alfred Phoenix Theatre.
Duke ndërthurur humorin e zi, tensionin dhe momente thellësisht prekëse, shfaqja lëviz vazhdimisht mes së qeshurës dhe dhimbjes, duke ngritur pyetje mbi familjen, braktisjen, dashurinë dhe nevojën njerëzore për të pasur dikë që mund ta quajmë “tonin”.
Regjia e shfaqjes është e Ilir Bokshit, ndërsa në role interpretojnë Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi. Asistent regjisor është Butrint Pasha, skenografinë dhe kostumet i ka realizuar Petrit Bakalli, muzika është e Butrint Pashës, ndërsa përkthimi është realizuar nga Artur Lena.
Producentë të projektit janë A&M Arts and Films dhe Teatri Dodona.
Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit CultAlb. Ekipi realizues shpreh mirënjohjen për këtë mbështetje, e cila kontribuon në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Bashkëpunime të tilla ndërmjet institucioneve dhe artistëve të të dyja vendeve krijojnë mundësi të reja për shkëmbim kulturor dhe për prezantimin e krijimtarisë shqiptare në skenat ndërkombëtare.
Pas prezantimeve në Prishtinë dhe Londër, shfaqja “Jetimët” pritet të vazhdojë rrugëtimin e saj ndërkombëtar, me prezantime të planifikuara në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, si dhe me pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të ndryshme teatrore në rajon dhe Evropë.
Përmes këtij projekti, “Jetimët” synon të sjellë para publikut një vepër të rëndësishme të dramaturgjisë bashkëkohore, por edhe të dëshmojë potencialin e bashkëpunimit artistik Shqipëri–Kosovë dhe kontributin e artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare./RTK/A.K/
